Kush kujt ia vodhi idenë? Edhe ASH-AAA premtonte barazi etnike në sektorin privat

Deputeti i koalicionit “Tash është koha”, Skender Rexhepi, akuzoi mbrëmë se Qeveria, më konkretisht BDI-ja si nismëtare, ua kanë vjedhur idenë për subvencionim të kompanive private për përfaqësim adekuat etnik.

Skender Rexhepi: “Kur ta merrni kopjen e programit tonë zgjedhor ishte pikë përbërëse që përveç përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, që është e drejtë juridike e shqiptarëve në të gjitha institucionet publike, ne kemi plan dhe program për subvencionimin e kompanive të mesme dhe atyre më të mëdha për përfaqësim të drejtë dhe…

Selmani: Kjo i bie që ua kanë vjedhur idenë…

Rexhepi: Po, pa dyshim, programin zgjedhor e kemi para zgjedhjeve!”

U përpoqëm që të marrim nga BDI qëndrim për akuza për vjedhje idesh që u bëhet, por përgjigje nuk morëm!

Po në të vërtetë kush kujt ia vodhi idenë?

Nëse për bazë merret data, rezulton se koalicioni “Tash është koha” para BDI-së e ka publikuar programin.

Aleanca dhe Alternativa programin zgjedhor 2020 e prezantoi më 24 qershor 2020, ndërsa BDI këtë gjë e bëri rreth dy javë më vonë, më 07 korrik 2020.

E dallimet në përmbajtje duket të jenë të vogla.

Koaliconi “Tash është koha”, në kapitullin “Për barazi të plotë” në programin e saj premton për:

“Stimulim fiskal të ndërmarrjeve të mesme dhe të mëdha private për të arritur përfaqësimin e drejtë dhe adekuat do të krijohen lehtësi tatimore siç janë lirimi nga kontributet e punëdhënësit ose nga një përqindje e tatimit në fitim për nëdrmarrjet e mesme (50 deri 249 nëpunës) dhe atyre të mëdha (250 ose më shumë nëpunës), që miratojnë dhe zbatojnë strategji efektive dhe plane veprimi të ndërmarrjeve për arritjen graduale të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, kjo bazuar në standardet evropiane”.

Ndërkaq, BDI, në programin e saj të publikuar 2 javë më pas, në pjesën “Rilindje ekonomike për të gjithë” premton se:

“Qeveria do të subvencionojë 50% të kontributeve sociale për tre vite të ardhshme për çdo punësim të ri që do të përmirësojë përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të të gjitha bashkësive etnike në ndërmarrjet private”.

Edhe kreu i PDSH, Menduh Thaçi, jatë fushatës pati premtuar që nëpërmjet ligjit ndërmarrjet private dhe investimet e huaja të obligohen që në fabrikat dhe ndërmarrjet e tyre ta reflektojnë proporcionalitetin e popullatës.

Në programin e Qeverisë 2020-2024 të dakorduar mes parterëve të koalicionit nuk përmendet konkretisht subvencionimi i kompanive private për qëllim të përfaqësimit të drejtë etnik, por në pjesën e “Shoqëri e barabartë për të gjithë” shkruhet se “Qeveria do t’i thërrasë, inkurajojë dhe do të bashkëpunojë me sektorin e biznesit, siç janë kompanitë e vendit dhe të huaja, që t’i mbështesin marrëdhëniet e mira etnike dhe vlerat e tolerancës, përfaqësimin dhe besimin e ndërsjellë edhe në mjediset e tyre të punës, që të përdoret i gjithë potenciali njerëzor me të cilin disponon vendi ynë”.