Kush ishte doktori më i ri nga Tetova që bëri bujë në gjithë Jugosllavinë?

“Djalosh, por Doktor”, këto do të ishin fjalët me të cilat shtypi ditor do të përshkruante suksesin e Dr. Femi Demirit.

Dr. Femi Demiri, atë kohë një djalosh vetëm 20-vjeçar, kishte arritur të përfundojë studimet e mjekësisë në Prishtinë me mesatare 8.20, kështu duke u bërë mjeku më i ri në ish-Jugosllavi.

Fillimisht, ajo që solli në këtë sukses të Dr. Femiut në fakt ishin rrethanat e vështira të shkollimit në fshatin e tij të lindjes në Odri. Për shkak të kushteve të pamjaftueshme, nxënësit nga gjeneratat e ndryshme detyroheshin të ndiqnin lëndët në të njëjtën klasë. Këtë vështirësi, Dr. Femi Demiri e ktheu në dobi të tij, dhe do të ndiqte lëndët edhe nga klasat më të larta. Si pasojë, ai arriti të përfundoj shkollimin fillor para kohe, dhe gjithashtu përfundoi Gjimnazin e Tetovës qysh në moshën 15 vjeçare.

Fill pas kësaj, në shtator të vitit 1973, Dr. Femiu regjistroi studimet e mjekësisë në Prishtinë, ku gjithashtu tregoi një sukses të jashtëzakonshëm akademik. Ai arriti që t’i kalojë të gjitha provimet në kohë, dhe me një mesatare të lartë, krahas sfidave që i sillte jeta studentore në moshë të re dhe larg familjes. Në 7 korrik 1978, kur do të mbushte 20 vjet, ai tani më do të ishte një mjek i diplomuar.

Doc. Dr. Femi Demiri lindi në fsh. Odri të Tetovës, në vitin 1958. Mbaroi Gjimnazin e Tetovës në vitin 1973 dhe Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në vitin 1979. Nga kjo koha punoi në Qendrën Medicinale të Tetovës, si mjek i praktikës së përgjithshme. Në vitin 1987 u specializua në Pneumoftiziologji në Qendrën Klinike në Shkup. Nga periudha 1985-1989 dhe 1994-1997, u aktivizua si mësimdhënës në Shkollën e Mesme Mjekësore në Tetovë. Në vitin 2010 u regjistrua në studimet postdiplomike, në programin Doktoraturë në Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike të Universitetit të Tiranës. Mbrojti doktoraturën në vitin 2013. Që nga viti 2010 ka qenë ligjërues i Lëndës së Fiziologjisë në Fakultetin Filozofik në Degën Psikologji dhe që nga viti 2013 ka zhvilluar lëndën e Fiziologjisë me Anatomi Funksionale në Fakultetin Filozofik, Dega e Edukimit Special dhe Rehabilitimit në Universitetin e Tetovës.

Që nga viti 1979 punoi si mjek pulmolog në IPSH Spitalin e specializuar për sëmundje të mushkërive dhe tuberkulozit në Leshkë. Nga viti 1992 deri më 1998 ushtroi funksionin zavendës Drejtor në Spitalin Klinik të Tetovës.

Vdiq më 26 Gusht 2020 nga sëmundja COVID-19 në Spitalin Klinik të Sëmundjeve Infektive në Shkup.

Dr. Doc. Femi Demiri meriton që emri i tij të mos tretet në haresë dhe të qëndroj në emërim të ndonjë spitali, institucioni, shkolle apo rruge.