Kush ishte Artila Kameri, 34 vjeçarja nga Gjakova që dyshohet se u hodh nga kati i dytë i një hoteli

Mëngjesin e sotëm Kosova u trondit nga një rast tragjik që ndodhi në një hotel në komunën e Graçanicës.

Artila Kameri, 34 vjeçare nga Gjakova, dyshohet se humbi jetën pasi ka rënë nga kati i dytë i hotelit në të cilin po qëndronte.

Rastin për Periskopin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo tha se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, tha Ahmeti.

Kush është Artila Kameri?

Artila Kameri është një sipërmarrëse nga Gjakova e cila kishte në pronësi një sallon estetik në Gjakovë.

Pak më shumë se një muaj më parë, 34-vjeçarja kishte ndarë një pjesë të intervistës së saj në televizionin publik, ku ishte ftuar pasi kishte fituar vendin e katërt në kampionatin botëror të estetikës të mbajtur në Napoli të Italisë.

“Kete sukses ja kushtoj vetes. Mua, qe dite pas dite gjej kurajon per tu perballur me sfidat, mua qe gjthmone e kam gjetur forcen per te ecuar perpara. Mua, qe pavaresisht te gjthave, ja dal te jem gjithmone vetvetja”, shkruante e ndjera, Artila Kameri.

Në të njëjtin postim, ajo kishte njoftuar se ka krijuar partneritet me El Nails Company, ku ishte zyrtarizuar si distributore e këtyre produkteve për Kosovë.