Kush ishte Adem Demaçi?


Sot në moshën 82 vjeçare ka ndërruar jetë veprimtari i çështjes kombëtare shqiptare, Adem Demaçi, shkruan “Zeri.info”

Demaçi u lind më 26 shkurt 1936 në Prishtinë, ndërsa me prejardhje është nga fshati Lupq i Podujevës. Ai ishte simboli i rezistencës kombëtare.

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe luftonte për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë. Pasi u lirua ai menjëherë vazhdoi aktivitetin e tij politik. Ai quhet edhe Nelson Mandela i Evropës, shkruan “Zeri.info”

 

Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ) nga 1990 deri 1995.

 

Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”. Gjatë periudhës 1998/1999, kur mbaheshin takimet në Rambouillet të Francës për të ardhmen e Kosovës, ai ishte zëdhënës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Demaçi ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2005-2007). Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij, është një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Ai ka shkruar romanin “Gjarpijt e Gjakut” i cili u ndalua nga regjimi ish-komunist. Ai e pa dritën vetëm pas viteve nëntëdhjeta.