Pritet që gjatë fillimit të vitit të ardhshëm Radio Shkupi të fillojë me punë 24 orë pasi janë duke u bërë përpjekje që të gjendet hapsirë edhe për një frekuencë dhe të krijohet kanali i katërt, informon për Radio Shkupin Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Admirim Aliti.
Ai madje tha se me ligj Radio Shkupi duhet të funksionojë 24 orë, por problemi është se licenca nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audovizuale i është dhënë një radio stacioni privat dhe tani nuk ka hapsirë që të krijohet një frekuencë e re për kanalin e katërt të Radios së Maqedonisë në të cilën duhet të emetohet program për etnitë e tjera, ndërsa kanali tretë t’i mbetet vetëm programit shqip.
“Çështja e kanalit të katërt në Radio është një situatë qesharake që ka ndodhur së fundmi në Maqedoninë e Veriut. Me ligj është lejuar të themelohet e njëjta, por ndërkohë frekeuncat dhe Licencën për radion numër katër institucioni i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audovizuele ia ka dhënë një radioje private dhe tani kur flasim me Agjencionin ata thonë se nuk ka më frekuenca në spektrin FM për radion numër katër. Menjëherë kam kontaktuar me Unionin Teknologjik që është në kuadër të OKB-së e të cilët janë përgjegjës edhe për frekuencat e radios, një grup i tyre tani janë në kontakt me Agjencinë e Maqedonisë dhe janë duke gjetur mënyra që në kuadër të spektrit të tanishëm, të bëjnë vend edhe për frekuencat për radion numër katër.” – tha Ministri i Shoqërsië Informatike dhe Administratës Admirim Aliti në emisionin Emisinonin Aktualitete- Radio Shkupi.