Zoran Zaev, ish-kryeministri dhe lideri socialdemokrat në Maqedoninë e Veriut shpeshherë ka folur për jetën e tij dhe të kaluarën.
Ai edhe këtë fushatë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk fshehë detaje se si është është rritur si fëmijë duke punuar arat bashkë me familjen e tij, pasi që fitimet kanë qenë edhe të mira.
Zaevi ka thënë se toka e pasur që e ka Maqedonia e Veriut duhet të punohet, dhe se si shembull duhet të merret familja e tij, që dikur si punë plotësuese kishte bujqësinë.
Babai i tij ka qenë magazine në kombinatin bujqësor “ZIK Strumicë”, ndërsa nëna e tij mësuese. “Të gjithë jemi marrë me bujqësi, për shkak se kishte para të mira dhe fitime ekstra. Edhe tani nuk e kemi lënë bujqësinë”, ka thënë Zaevi.
Ai ka porositur qytetarët që të ndjekin këtë rrugë, duke iu përkushtuar bujqësisë dhe tokave të lëna djerrina. Zaevi thotë se me bujqësi mund të merret edhe inxhinieri, politikani apo mësuesi, sepse këtë e ofron Maqedonia e Veriut.
“Nuk mundet që Serbia të ketë 6 ton grurë në një hektarë, ndërsa Maqedonia të ketë 3 ton në një hektarë. Po ashtu duhet që subvencionet ti japim me kohë. Patjetër të hapim edhe tregje të reja për shitje dhe plasim të prodhimeve bujqësore”, theksoi Zaev.
Zoran Zaev është i lindur më 8 tetor 1974 në Strumicë. Familja e tij ka prejardhjen nga fshati Murtinë, aty ku kanë edhe tokat bujqësore që i kanë punuar. Por që tani kjo familje merret me biznese të ndryshme. Zaev shkollimin fillor dhe të mesëm e ka kryer në vendlindje, ndërsa fakultetin ekonomik më 1997 në Shkup.
Ai fillon punën në ndërmarrjen “Trgoprodukt” në Strumicë 1997-2003, ndërsa në vitin 2001 është emëruar drejtor i saj. Kjo ndërmarrje që është marrë kryesisht me tregtimin e produkteve bujqësore është themeluar nga familja e tij.
Ai më pas përfshihet në politikë, duke u zgjedhur fillimisht kryetar bordi në një ndërmarrje komunale në Strumicë, më pas deputet, kryetar komune në Strumicë dhe së fundi kryeministër, që erdhi duke qenë kryetar i Lidhjes Social Demokrate Maqedonase (LSDM). (INA)