Kush është shqiptari nga Tearca në mesin e 100 njerëzve më me influencë në botë

Prof. Dr. med Omer Dzemali MD, PhD, Chefarzt Stv./Senior Surgeon, Stadtspital Triemli, Zürich, 28.10.2016, © Dominique Meienberg
23 vjet në Maqedoni, 16 vjet në Gjermani, 7 vjet Zvicër, dhe kur e pyesin se ku është shtëpia e tij, ai përgjigjet: “Klinika, ‘Triemli’, këtu unë shpenzojë shumicën e kohës sime,”. Në fakt, mjeku për kirurgji të zemrës punon shumë, pothuajse çdo ditë ai është në sallë operacioni dhe është një ndër mjekët më të mirë në fushën e tij në Zvicër, shkruan opinion.al

Është shqiptari i parë që ka kryer operacionin e transplantimit të zemrës. Këtë ndërhyrje, për herë të parë e ka bërë në vitin 2008, në Klinikën Universitare të Frankfurtit, Gjermani. Kanë pasuar edhe katër transplantime tjera të suksesshme. Fjala është për dr. Omer Xhemalin, kardiokirurg, doktor i shkencave të mjekësisë dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Frankfurtit. 47 vjeçari me një karrierë të bujshme në mjekësi, është modestia vetë. I qetë, i afërt, komunikues, doktori i zemrës duket shembulli më bindës se madhështia qëndron në thjeshtësi.

Prej afër tri vitesh, dr.Omeri nga Tearca e Tetovës punon në Spitalin “Triemli” të Cyrihut, ku mban pozicionin e zëvendësshefit të repartit të kardiokirurgjisë. Për të, “vendlindja është gjithandej ku flitet shqip”, prandaj shpreh vullnetin e tij të ndihmojë atë duke mbartur përvojat që ka fituar në perëndim. Por ai është i shqetësuar për drejtimin që po merr shëndetësia në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni… “Komercializimi dhe qëllimi për fitim të shpejtë janë shkatërruese për mjekësinë atje”.

Omer Xhemali ka operuar qindra zviceranë në zemër të hapur. Ky shqiptar ecën me hap të shpejt nëpër korridor, operacioni sot ka zgjatur më shumë. Xhemali është kirurg zemre në spitalin Triemli në Zürich dhe zëvendësshef i klinikës. Në zyrën e tij qëndrojnë të varura shqiponja dykrerëshe dhe heroi Skënderbeu, Xhemali është shqiptar krenar. Por gjatë fëmijërisë së tij në ish-Jugosllavi kjo do të ishte e rrezikshme. I lindur në vitin 1970, Xhemali u rrit në një fshat malor shqiptar në Maqedoninë e sotme. Të dy prindërit e tij ishin arsimtarë. “Ata përherë duhej të kishin kujdes të mos thonë diçka të gabuar gjatë mësimit”. Sepse kush dyshohej se përhapte ide proshqiptare, arrestohej, «diferencohej», siç thuhej në Jugosllavinë e Titos. Disa herë babai i tij u mor në pyetje. “Kush ishte shqiptar kishte frikë”.

Prindërit e Omer Xhemalit kishin ide të pazakonshëm moderne: nëna e tij ishte ndër arsimtaret e para dhe ndër të paktat që nuk mbante shami. Dhe mes familjeve shqiptare me shumë fëmijë ata ishin të vetmit që qëllimisht donin të kishin vetëm një fëmijë në familjen e tyre, ide tepër të përparuara për kohën. Djali i tyre do të kishte më shumë shanse. Por Xhemalit iu desh së pari të ikte nga lufta, breshëria e plumbave dhe korrupsioni për të kapur shansin e tij.

Xhemali dëshironte të bëhej mjek, por s’dinte si. “Në të gjitha universitetet në Jugosllavi duhej të kishte ose para ose vitaminë B – unë nuk i kisha asnjërën”, thotë ai. Vetëm Sarajeva konsiderohej si qytet më i hapur, Xhemali u paraqit për provimin pranues dhe bëri zero gabime në Sarajevë – “atëherë ishin të detyruar të më pranonin”.