Kush është personi që kontakton me Budapestin? Vazhdon përplasja Dimitrievski-Grubi!

Vazhdojnë përplasjet mes Artan Grubit dhe Kryetarit të Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Ditë më parë, Grubi e kërcënoi me padi Dimitrievskin, për të cilin tha se po thotë të pavërteta.

“I jam përgjigjur drejtpërdrejt kryetarit të Komunës së Kumanovës. Në fakt e kam thirrur për të kërkuar falje dhe ja ku po i kërkoj edhe njëherë që të kërkojë falje publike për gënjeshtrën flagrante se gjoja unë kam qenë në Budapest dhe jam takuar me njerëz atje për të diskutuar ndryshimet në Kodin Penal. Unë kurrë në jetën time nuk kam qenë në Budapest, as në Hungari, as nuk kam takuar dikë atje, prandaj them se zoti Dimitrievski gënjen paturpësisht. Po ashtu publikisht i kam kërkuar që t’u thotë qytetarëve nëse Dimitrievski ka qenë vet në Budapest për ta vizituar personin për të cilin aludon dhe për të kërkuar mbështetje për zgjedhjet lokale, në të cilat ai fitoi me votat e VMRO-DPMNE-së, duke u bërë kështu kryetari i parë ‘Vmro-vist’ i Komunës së Kumanovës. Shpresoj të kërkojë falje sa më shpejt që të mos shihemi në gjyq”, ka deklaruar zëvendëskryeministëri Artan Grubi.

E sot, Dimitrievski iu përgjigj.

“Nëse e ndiqni me kujdes deklaratën e Z. Grubit ai thotë: “PERSONI I APOSTROFUAR” dhe se temë i bisedimeve në Budapest kanë qenë “NDRYSHIMET NË KODIN PENAL”.
Unë askund në pyetjet e mia drejt Grubit nuk kam përmendur asnjë persona dhe as temën e bisedave.
Por kur dikush e ka mizën nder kapelë atëherë aj pa vetëdije përgjigjet.
Sot do të adresoj edhe disa pyetje bonus deri tek Z. Grubi.
A është e saktë se në takimin mes kryesisë së ngushtë të LSDM-së dhe BDI-së është vendosur që të kërkohet ndihmë nga Budapesti?
A është e vërtetë se në këtë takim është vendosur që Grubi të jetë personi për kontakt me Budapestin?”, ka shkruar Maksim Dimitrievski, kryetar i Komunës së Kumanovës.

Dimitrievski pyet edhe se a është kërkuar nga Budapesti ligj për amnisti me qëllim që të sigurohen deputetet për ndryshimet kushtetuese. Ditë më parë, në rrjetet sociale u bë i gjallë edhe Gruevski. Ai nga Budapesti demantoi se ka gisht në ndryshimet e fundit në Kodin penal, por askund nuk shkroi se nuk e ka ndërmend të kthehet.