Shkruan: Latif Mustafa
Nuk është tragjedi të quhesh indian më tepër se sa kush të quan indian. Të jesh indian do të thotë të jesh vendas (lat. Indigjene=vendas). Një shquarje e tillë “indijanci” nuk përbën një fyerje racore por në thelb është manifestim i një nënvetëdije kolektive kolonizuese. Është krejt në rregull të quhesh indian, gjersa ky nocion shpreh qëndresën e një populli indigjen ndaj kolonizimit, poshtërimit dhe shfarosjes nga kolonizimi gjenocidal europian. Ai që të quan “indijanci” e projekton veten si kolonizator, i bardhë dhe emancipues kurse “indianin/vendasin” e konsideron ekzotik, emocional dhe prapanik. Barrikadat në Çairçane janë shpërfaqja më e mirë e kësaj nënvetëdije koloniale e cila ruhet si mentalitet pushteti dhe shtypjeje. I pushtetshmi është kolonizator kurse qytetari i shtypun është “indian”.
Mos harroni se në mes kolonizatorit dhe të kolonizuarit ka një shtresë dhe nivel tjetër të ndërmjetëm të pushtetit, e ata quhen kompradore. Ata janë persona ose grupe interesi cilët veprojnë si agjent të pushtetit kolonial, të cilët e luajnë një rol ndërmjetësues dhe rehabilitues ngaqë flasin gjuhën e të kolonizuarve e në anën tjetër shfrytëzojnë të mirat dhe benefitet e kolonizatorit. Këto persona, bëjnë teatrin e të fuqishmit dhe të pushtetshmit e në fakt janë të më mjerët. Shtiren me legjitimitet popullor por në fakt janë mbivendosur në mënyrë krejt klandestine si rezultat i manipulimit publik dhe vjedhjes së votave. A nuk u dëshmua në gjykata? Ata nuk përfaqësojnë vullnetin politik aq më pak shpirtin e lirë, indigjen dhe të kulturuar të vendasit. Qytetarë të ndershëm, duke respektuar masat, prisnin në radhë të gjata, me kulturë dhe disiplinë të lartë gjatë kryerjes së obligimeve, kurse këta kompradore duke shfrytëzuar benefitet e pushtetit, u buçiste muzika çjerrëse nga vetura me xhamat të zinj nëpër rrugët e Çairit.
Në këtë linjë mendimi dhe shpërfaqjeje nënvetëdijeje është edhe vendimi për karantinizim gjatë ditëve të festës. Është fyese pikënisja paragjykuese e një vendimi të tillë institucional duke dëshmuar se gjoja institucioni kujdeset për shëndetin e qytetarit më shumë se vetë qytetari, gjoja akulturimi i kësaj pjese buron nga religjioziteti dhe përshpirtshmëria e tyre. Pushteti dhe ushtrimi i tij ndaj një mase të caktuar njerëzish është gjithmonë i dhunshëm, në thelbin e tij, dhe tek më vonë manifestohet me devijime të çuditshme sociale e kulturore. “Indianët” vazhdojnë të vuajnë, jo sepse janë të tillë siç janë, por ngaqë janë projektuar si subjekt i shtypur dhe i përfytyruar. Dëgjojeni një herë, të paktën një herë, zërin e këtyre indianëve, besoni që edhe Shkupi por edhe shteti mbarë do të frymonte më mirë!