Kush është i besuari i Putinit që mban kodet e armëve bërthamore

Njihuni me Serghej Shoigu, besnik i Putinit që mban një nga tre kodet atomike

“Një Luftë e Tretë Botërore, nëse do të shpërthente, do të ishte bërthamore dhe shkatërruese”, ka thënë ministri i Jashtëm rus Lavrov në një intervistë për Al Jazeera, duke ngjallur shqetësimet e liderëve në mbarë botën.

Por, si funksionon përdorimi i armëve bërthamore në Rusi? Vetëm miratimi i presidentit Vladimir Putin nuk mjafton për të “shtypur butonin”.

Duhen tre çelësa, tre kode. Njëri është në posedim të Putinit, i dyti në duart e Shefit të Shtabit të Përbashkët Valery Gerasimov dhe i treti është në duart e Ministrit të Mbrojtjes, Sergej Shoigu. Nëse një nga tre kodet nuk shtypet, procesi i aktivizimit anulohet.

Ndër njerëzit me “telekomandë” ndër të cilët kalon domosdoshmërisht miratimi i një aksioni bërthamor rus është ministri i Mbrojtjes Serghej Kuzugetovic Shoigu, besnik i Putinit pa përvojë ushtarake -një inxhinier civil – i cili është bërë një personazh i shquar në Kremlin pas sukseseve në Krime (2014) dhe Siri.

Por kush është në të vërtetë Shoigu? Ai është 66 vjeç, i lindur në Kadan, Rusia Siberiane, nga një baba gazetar dhe politikan dhe një nënë me origjinë nga fshatrat ukrainase. I diplomuar për inxhinieri ndërtimi në Institutin Politeknik të Krasnoyarsk, ai nuk shërbeu kurrë në ushtri.

Në moshën 34-vjeçare, midis viteve 1988 dhe 1989 u bë sekretar i degës lokale në Abakan të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.

Më pas u transferua në Moskë, ku filloi ngjitjen në majën e shtetit, megjithë rënien e BRSS (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike).

Në vitin 1990 u emërua nënkryetar i Komitetit shtetëror për arkitekturën dhe ndërtimin.

Më pas nga viti 1994, as dyzet vjeç, iu bashkua qeverisë si Ministër për Situatat Emergjente.

Në vitin 2012 mbajti postin e guvernatorit të Oblastit të Moskës për disa muaj (rol i krahasueshëm me atë të presidentit rajonal), por u rikthye menjëherë në Kremlin: Putini e donte atë pranë tij si Ministër i Mbrojtjes.

Në vitet e tij si ministër i Mbrojtjes së bashku me Putinin, Serghej Shoigu “nënshkroi” sukseset ushtarake të aneksimit të Krimesë në 2014, operacionet në Siri dhe tani është ndër drejtuesit e ofensivave ushtarake në Ukrainë.

Dihet pak për mendimin e tij politik: ai kurrë nuk mori anën e konservatorëve dhe reformistëve, duke qëndruar gjithmonë në linjë me mendimin e Putinit.

Megjithatë, fraza e tij mbeti e famshme, kur pas pushtimit të Krimesë tha se “sovraniteti i Rusisë garantohet nga ushtria dhe flota e saj”. Një citim ky, nga Aleksandri III, car i cili në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të mbeti në histori për idetë e tij të theksuara nacionaliste dhe për politikat e rusifikimit në Poloni, Gjeorgji dhe Armeni.

Si ministër, Shoigu bëri një reformë të ushtrisë, duke forcuar forcat e hapësirës ajrore – duke kombinuar aeronautikën dhe hapësirën – dhe duke forcuar aspektin e teknologjisë së lartë të ushtrisë me një komandë për operacionet kibernetike.

Besnikëria ndaj Putinit është sigurisht karakteristika që më së shumti e bën të njohur në qarqet e Kremlinit.

Shumë njerëz e portretizojnë atë si njeriun tek i cili Presidenti mund të mbështetet “në çdo kohë” dhe thuhet se të dy përveç miqësisë i lidh dhe hobi i përbashkët, si peshkimi dhe larja në lumenjtë e mëdhenj të vendit.