Kush është Giorgia Meloni, nga lëvizjet fashiste në krye të Vëllezërve të Italisë


E djathta italiane ia ka lënë fashizmin historisë. Me këto fjalë Giorgia Meloni u përgjigjet akuzave të shtypit të huaj, që e portretizon atë si një kërcënim për demokracinë italiane, evropiane dhe stabilitetin ndërkombëtar.

Në pikun e konsensusit, fjala kyçe e Melonit është garancia: një shëmbëlltyrë politike që paraqitet jo shumë ndryshe nga ajo e Gianfranco Finit dhe eksponentëve të tjerë të atij grupimi që në Itali është quajtur “e djathta post-fashiste”.

Një ambient, ku kryetarja e Vëllezërve të Italisë ka aderuar që në fillesat politike të saj. Në moshën 15-vjeçare, në vitin 1992, ajo militoi në Frontin e Rinisë, dega rinore e Lëvizjes Socialiste Italiane, me të cilën ajo mori pjesë në protestat kundër reformës në arsim.

Që atëherë, karriera e saj politike ka qenë e pandalshme. Nga 1998-a në 2002-shin ajo ishte këshilltare bashkiake e Romës me partinë Aleanca Kombëtare, e cila në 2008-n u bashkua me Popullin e Lirisë të Silvio Berlusconit, lëvizje që asokohe i lejoi të bëhej ministrja më e re në historinë e Italisë.

2013-a është viti i ndarjes. Meloni braktis Popullin e Lirisë për të themeluar Vëllezërit e Italisë, parti tiparet e të cilës janë ato të një nacionalizmi konservator, me një konotacion të fortë sovranist. Flaka trengjyrëshe rishfaqet në simbolin e partisë dhe brenda pak vitesh shfaqen edhe inicialet e Lëvizjes Socialiste Italiane.

Meloni e nisi me rreth 3 për qind të mbështetjes në zgjedhjet e 2013-s, por gjatë 9 viteve në opozitë, rritja e saj ka qenë konstante. Hovi erdhi me qeverinë Conte II dhe mbi të gjitha me ekzekutivin e Mario Draghit, ku Vëllezërit e Italisë ishin partia më e madhe italiane që zgjodhi të qëndronte në opozitë.

Liderja provoi se ishte shumë e aftë në kanalizimin e konsensusit të monopolizuar nga Liga e Veriut ndër vite; me kundërshtimin për gjithçka që konsiderohej progres, por Meloni është e kujdesshme të mos i kalojë vijat e kuqe kur bëhet fjalë për të kundërshtuar sistemet.

Ndaj, ndërsa në Evropë ajo vijon të kultivojë prirje bashkëpunuese me grupet euro-skeptike, si ai spanjoll VOX, në shtëpi dhe përtej Atlantikut Meloni duhet të tregojë fytyrën e saj institucionale dhe të moderuar, pa të cilën është e vështirë të mendohet qeverisja e një vendi si Italia.