Kush është fajtor që Kosovës nuk po i hiqen vizat


Parlamenti Evropian, përmes një raporti të votuar në Komisionin e Politikës së Jashtme të prezantuar nga deputeti kroat Tonino Piculla, ka kërkuar edhe një herë që të miratohet vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, dhe kjo të bëhet pa vonesa.

Kjo thirrje e Parlamentit Evropian nuk është diçka e re. Është përsëritje e qëndrimit që ky institucion i BE-së e ka tash e disa vjet.

Por problemi me liberalizimin e vizave qëndron tek mungesa e vullnetit nga disa shtete të rëndësishme anëtare të BE-së në Këshill. Ndonëse vendimi mund të merret nga Këshilli me shumicë të kualifikuar votash të vendeve anëtare, pasi Franca dhe Holanda janë kundër, dhe disa shtete hezitojnë, një vendim i tillë nuk është fare në rend dite. Dhe diplomatët në Bruksel nuk besojnë se do të jetë shpejt. Situatën e ka bërë më të komplikuar edhe kriza e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por edhe situata politike në Kosovë.

Presidenca kroate e BE-së para disa muajsh mbante një dozë të vogël optimizmi se mund të shfrytëzohej ajo që quhej “atmosferë pozitive” e krijuar pas vendimit të Këshillit të BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe që të avancohet edhe heqja e vizave për Kosovën.