Kush është babai “monstër”, që abuzonte me vajzën e tij dhe e la shtatzënë


Një 61-vjecar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi prej 16 vitesh ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij. Denoncimi është bërë nga vajza, sot 25 vjecare, dhe në momentin e abuzimit të parë, vetëm 9 vjeçe. Vajza ka rrëfyer gjithçka tek murgeshat, ndërsa në moshën 19 vjeçare ka mbetur shtatzënë me babain e saj dhe e ka abortuar fëmijën.

Ishte viti 2002 kur në një familje shqiptare në Tiranë drama e një divorci u kthye në tragjedi për vajzën 9-vjecare të çiftit. Tre fëmijë të çiftit, dy vajza dhe një djalë, më e madhja 9 vjece, qëndruan me babain e tyre 45-vjecar me inicialet Q.N. Nëna e tyre pas divorcit u largua nga shtëpia duke i lënë fëmijët e saj në duart e të atit. Një dhomë modeste në Tiranë, brenda së cilës jetonin 4 persona, fëmijët me babain, rrethuar nga skamja.

Në vend të përkujdesjes për fëmijët, babai ka abuzuar me vajzën e madhe, në atë kohë 9 vjeçe, sot 25 dhe vetë ai sot 61-vjecar. Q.N ndodhet në prangat e policisë pas një kallëzimi të vajzës së tij që nxori në dritë një histori monstuoze. Për 16 vjet me radhë, vajza është përdhunuar nga babai i saj. Skenat e marrëdhënies seksuale me dhunë kanë ndodhur brenda dhomës që ata e quanin shtëpi, kur në banesë nuk ndodheshin dy fëmijët e tjerë. Historia e tmerrshme, sipas kallëzimit të vajzës, nis një ditë kur babai i saj në gjendje të dehur kreu marrëdhënie seksuale me dhunë me të, në atë kohë vetëm 9 vjeç. Nga ajo ditë nuk u ndal më së abuzuari me të.

Por si u zbulua kjo histori tronditëse?

Vitet e fundit vajza angazhohej me komunitetin e murgeshave, e në një prej bisedave mes tyre, vajza ka gjetur guximin të tregojë tmerrin që i kishte shkatërruar jetën. Një vajzë e mbyllur, që rrallë fliste me njerëzit. Por që ngrohtësia e gjetur pranë motrave murgesha e bëri atë të rrëfejë tragjedinë e jetës së saj. Pas historisë shokuese murgeshat, me pëlqimin e vajzës, kanë njoftuar policinë, ku efektivët e policisë në Tiranë bënë të mundur arrestimin e babait përdhunues.

61-vjecari ka treguar thuajse gjithçka pranë uniformave blu, me një gjakftohtësi të frikshme. Në dëshminë e tij ai nuk lë pa akuzuar edhe të bijën, duke hequr nga barra e fajit përgjegjësinë e tij. Disa herë, vajza donte edhe vet, shprehet ai, duke dashur të fshehë përmasat e dramës që ka shkaktuar në jetën e së bijës.

Në moshën 19-vjecare, vajza ka mbetur shtatzënë me babain e saj, dhe ka kryer një abort, detaj ky i pranuar nga të dyja palët. Prej gjashtë vitesh tashmë babai dhe vajza jetonin të vetëm në banesë, pasi vajza tjetër e tyre ishte martuar, ndërsa djali kishte dalë të jetonte i vetëm me qira.

Ditët e fundit vajza ishte larguar nga banesa dhe babai e kishte denoncuar të zhdukur, por pa ditur se ajo gjendej pranë murgeshave tek të cilat kishte mundur që pas 16 vjetësh të fliste për historinë e dhimbshme me babain e saj përdhunues.

Policia e Tiranës i ka dorëzuar materialet procedurale në Prokurori. Ndaj 61-vjecarit janë ngritur tre vepra penale të parashikuara nga nenet 106, 100 dhe 130/a të Kodit Penal. Konkretisht ato janë marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me personat në gjini ose nën kujdestari, marrëdhënie seksuale me të mitur dhe dhuna në familje. Vepra penale për të cilat nëse merret vendimi i dënimit maksimal, rrezikon deri në 37 vjet burg. Nëse do të dënohet me vendim maksimal, kjo për 61-vjecarin do të thotë të kalojë pjesën e mbetur të jetës, në burg.

Që në momentin e parë të denoncimit vajza është nën kujdesin e punonjësve sociale. / Express