Çdo vit nga Maqedonia e Veriut largohen rreth 240 mjekë. Këtë e tha kreu i Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë, me rastin e Ditës Botërore të Shëndetësisë, dr. Goran Dimitrov. Ai u shpreh se vendi duhet të zhvillojë shërbimet mjekësore edhe në qytetet tjera përveç kryeqytetit. Sipas Dimitrov, një ndër problemet kryesore është ikja e mjekëve jashtë vendit, shifër që është mbi 200 çdo vit.
Goran Dimitrov, kryetar i Shoqatës së Mjekëve
“Numri i mjekëve po zvogëlohet. Nëse mund të jem i përafërt, pasi nuk mund ta them sepse çdo ditë përditësohet numri, që 200 deri 240 mjekë e lëshojnë vendin në vit. Do të thotë se numri po zvogëlohet, duhet të rritet numri, pasi që kemi tre fakultet të mjekësisë, në Shtip, Shkup dhe Tetovë”
Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, premtoi se do të ketë punësime të reja në sektorin e mjekësisë.
Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë
“Kemi kërkuar nga të gjitha institucionet në Maqedoni që të na dorëzojnë, sa janë nevojat, kërkesat për çfarë zgjidhje kadrovike, të ketë në këtë sistematizim, të ketë funksionalitet, për këtë nuk mund të shpejtojmë pasi duke e ditur gjendjen financiare të shtetit, duhet të adaptohemi edhe me këtë. A do të ketë punësime? Po do të ketë, por nuk mund të them se nesër janë të njëjta”
Mexhiti nuk sqaroi se kur dhe çfarë kuadro do të punësohen, por tha se kanë kërkuar nga institucionet që të dërgojnë të dhëna për mungesën e kuadrit.
Linda Ebibi /SHENJA/