Kush do e marrë vaksinën i pari? Vendet e pasura po përpiqen të kapin miliona doza

Kush do të marrë vaksinën e koronavirusit i pari? Duke lënë mënjanë retorikat, fjala i mbetet gjeopolitikës dhe parave. Nuk ka të bëjë thjesht me mbrojtjen e shëndetit të një popullate. Siç e shohin shumë ekspertë, një vaksinë është gjithashtu e rëndësishme për t’i rikthyer ekonomitë në rrugë të mbarë.

Liderët botërorë e dinë këtë, e kjo është dhe arsyeja që vendet e pasura po përpiqen të kapin qindra miliona doza të vaksinave të mundshme të paracaktuara, duke hyrë kështu në një lloj gare vrapimi mes tyre. Suerie Moon, bashkëdrejtore e Qendrës Globale të Shëndetit të Institutit të Diplomuar në Gjenevë, i quan këta kandidatë “asete strategjike” me “armë ushtarake”.

“Qasja ndaj një vaksine është një shans për të forcuar besnikërinë e një vendi, qëndrimin politik dhe prestigjin”, mendon ajo. Që përpara se një e tillë të prodhohet, janë bërë marrëveshje me vlerë qindra miliona apo edhe miliarda euro. Britania ka siguruar deri në 30 milion doza të një vaksine të mundshme të krijuar nga BioNTech dhe Pfizer, ka një marrëveshje të veçantë me AstraZeneca për 100 milion doza të vaksinës së saj, dhe një tjetër marrëveshje me GSK dhe Sanofi Pasteur për 60 milion doza. AstraZeneca gjithashtu ka një kontratë me katër vende të BE-së – Hollandën, Gjermaninë, Francën dhe Italinë – për të blerë 400 milion doza.

SHBA ka tre marrëveshje, një me BioNTech dhe Pfizer (me vlerë afro 2 miliard dollarë) për 600 milion doza, një tjetër me AstraZeneca për 300 milion doza dhe një të tretë me Novavax për 100 milion doza. Por lufta e “të pasurve” për të marrë vaksinat është “shkatërruese në nivel ndërkombëtar”, sipas Moon, sepse kjo do të thotë “ se do të mbeten pak vaksina për pjesën tjetër të botës dhe për vendet që nuk para apo kapacitete prodhuese të vetën për të siguruar një të tillë”.

Sipas Charlie Weller, kreu i programit të vaksinimit Wellcome Trust’s, në vitin e parë pas gjetjes së vaksinës, nuk do të ketë doza të mjaftueshme për të gjithë. “ Mekanizmi i alokimit të burimeve të pamjaftueshme të tyre në mënyrë të drejtë, do të jetë kritik në këtë pikë”, shprehet ajo. Dhe precendëntët nuk mungojnë: në 2009-tën, pati një përplasje të fortë mbi sigurimin e vaksinës së gripit të derrit, dhe kuptohet që pjesën e luanit i shkoi vende më të pasura, ndërsa ato më të varfra mbeten në fund të listës.