Kurti vendos lule te varri i Sami Frashërit në Stamboll: S’e harroi kurrë vendin e tij! La një trashëgimi të pazëvendësueshme!


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij në Turqi ka vendosur lule pranë varrit të shkrimtarit shqiptar Sami Frashërit, në Stamboll.

Krahas një foto albumi në rrjetet sociale, Kurti shprehet se Sami Frashëri ka qenë ideolog i shquar dhe dijetar i ndritur.

“Atdhetar, rilindas e mendimtar përparimtar. Nuk mund të përshkruhet mjaftueshëm me fjalë e të ketë aq epitete për ta bërë sa më të kuptueshme figurën e tij”, shkruan kryeministri Kurti.

Më tej, ai ka shtuar se “Sami Frashëri është thesar kombëtar dhe personalitet që ka kontribuar jashtëzakonisht në mendimin politik, shoqëror e filozofik shqiptar”.

“Ai la gjurmë, gjurmë të pashlyeshme, që ende sot, preken e përjetohen. Një mërgimtar i arrirë, që s’e harroi kurrë vendin e tij. Shembull për kombin, shembull për mërgatën dhe frymëzim për çdokënd”, shprehet Kurti.

Postimi i plotë

Ideolog i shquar dhe dijetar i ndritur. Atdhetar, rilindas e mendimtar përparimtar. Nuk mund të përshkruhet mjaftueshëm me fjalë e të ketë aq epitete për ta bërë sa më të kuptueshme figurën e tij. Sami Frashëri është thesar kombëtar dhe personalitet që ka kontribuar jashtëzakonisht në mendimin politik, shoqëror e filozofik shqiptar.

Krijimtaria e tij është e lidhur ngushtë me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare, dhe nga idetë iluministe evropiane. Ai la një trashëgimi të pazëvendësueshme, e cila mbetet bashkëkohore ende sot. Mjafton të lexosh veprën e tij monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, për të kuptuar largpamësinë socio-politike dhe mendimin e mprehtë me shprehjet e thukëta.

Një gur që ngulit e skalit të vërtetën dhe të drejtën në mendjen tonë. Dje, në ditëlindjen e Samiut, vizituam varrin e tij në Stamboll dhe vendosëm lule të freskëta, për ta kujtuar e nderuar atë. Para kësaj, në Ankara qëndruam në Qendrën Kulturore Shqiptare atje e cila përveçse mban emrin e tij, e nderon çdo ditë trashëgiminë e tij duke qenë vend që i bën bashkë shqiptarët e ku flitet e mësohet gjuha shqipe, ashtu siç na mësonte Samiu gjuhën përmes kombit, e kombin përmes gjuhës.

Ai la gjurmë, gjurmë të pashlyeshme, që ende sot, preken e përjetohen. Një mërgimtar i arrirë, që s’e harroi kurrë vendin e tij. Shembull për kombin, shembull për mërgatën dhe frymëzim për çdokënd.