Kurti takon Palmer, Reeker dhe Lajçak, temë dialogu me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një sërë takimesh me liderë të rajonit dhe përfaqësues të lartë nga Evropa dhe ShBA.
Ai gjatë Forumit të Prespës ka dhënë një propozim se si rajoni i Ballkanit Perëndimor mund të avancojë drejt Bashkimit Evropian, përmes një marrëveshje dhe marrëdhënie të re, të tillë çfarë e kanë Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

“Ballafaqimi me të kaluarën është i rëndësishëm për paqen dhe pajtimin në Ballkan”, ka deklaruar ai
“Gjatë ditës, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, Kryeministri Kurti u takua me Ndihmëssekretarin e shtetit të ShBA-së për Evropë dhe Euroazi, z. Philip Reeker dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, z. Matthew Palmer”, njofton Zyra e Kryeministrit.

“Kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla janë takuar edhe me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak me të cilin kanë diskutuar për takimin e 15 qershorit në Bruksel dhe nisjen e procesit të ri të dialogut. Po ashtu, kryeministri Kurti pati takim të përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, z.Edi Rama, kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, z.Ali Ahmeti si dhe nënkryetare e BDI-së, Teuta Arifi”.