Kurti takon Mickoskin në Shkup, shoqërohet nga ministrat Gërvalla, Haxhiu e Aliu

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kurti në takim është shoqëruar nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ajo e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Siç njoftojnë mediat në Maqedoni të Veriut, pas takimi atje do të pasojë një konferencë e përbashkët në mes dy kryeministrave Mickoski dhe Kurti në hapësirat e qeverisë.

Nga Qeveria e Kosovës e kishin konfirmuar për takimin e Kurtit me Mickoskin.

“Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga ministra të kabinetit qeveritar, të hënën do të zhvillojë një vizitë pune në Maqedoninë e Veriut. Atje do të ketë një takim bilateral me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut me të cilin do të diskutojnë rreth raporteve bilaterale, bashkëpunimit rajonal dhe projektet infrastrukturore me interes për dy shtetet”, ka deklaruar zëdhënësi Përparim Kryeziu.