Kurti takon koalicionin VLEN

Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim liderët e koalicionit VLEN në Maqedoninë Perëndimore, Bekim Qoku, Bilall Kasami, Arben Taravari, Izet Mexhiti e Afrim Gashi, të cilët i përgëzoi për rezultatin zgjedhor më 8 maj, duke thënë se është hera e parë që opozita shqiptare arrin mbi 100.000 vota.

Në takim u diskutua për çështje me rëndësi për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, por edhe për marrëdhëniet ndërshtetërore, si dhe çështje tjera me rëndësi. Shqetësuese për palët vazhdon të jetë influenca ruse dhe serbe, e cila ndodh edhe përmes rrjeteve korruptive e kriminale.
Zhvillimi i infrastrukturës që ndërlidh Kosovën dhe Maqedoninë Veriore ishte një ndër temat kryesore të diskutimit, bashkë me ide e projekte për gjallërimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor e arsimor.
Takimi u zhvillua në frymë të bashkëpunimit të përzemërt, duke mbajtur parasysh se shqiptarët në Ballkan janë faktor në mbështetje të demokratizimit, integrimit evropian, paqes e sigurisë dhe qëndrueshmërisë euroatlantike.