Kurti shkon për Bajram te tre policët që u rrëmbyen

Kryeministri Albin Kurti ka shkuar sot për vizitë te tre policët Beqir Sefa, Rifat Zeka dhe Shemë Mustafa, të cilët u rrëmbyen nga forcat serbe më 14 qershor e u liruan të hënën.

Kurti ka publikuar disa fotografi nga vizita, derisa ka thënë se i ka falenderuar të tre policët dhe familjet e tyre për qëndresën, besimin e treguar dhe mbështetjen e dhënë ndaj institucioneve të Republikës.

“Për Bajram te Beqir Sefa, Rifat Zeka e Shemë Mustafa, tre oficerët tanë të Policisë, që ishin rrëmbyer me 14 qershor nga forcat e armatosura serbe, e u mbajtën rob padrejtësisht për 13 ditë nga Serbia. Mikpritje fort e ngrohtë, sepse festa ishte e dyfishtë në Peran, Letanc dhe Mitrovicë. I falënderova të tre policët tanë dhe familjet e tyre për qëndresën, besim e treguar dhe mbështetjen e dhënë ndaj institucioneve të Republikës”, ka shkruar Kurti.