Kurti: Rryma dhe uji i papaguar në veri që nga 1999, i ka kushtuar shtetit 337 milionë euro

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se strukturat paralele të kontrolluara nga Serbia në komunat veriore të Kosovës, u kanë kushtuar qytetarëve dhe taksapaguesve në pjesën tjetër të vendit 320 milionë euro në faturat e papaguara të energjisë dhe 17 milionë euro në faturat e furnizimit me ujë që nga viti 1999.

Kurti ka shtuar se këto struktura paralele pengojnë edhe zbatimin e marrëveshjes energjetike arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Pa nxitje për të kursyer, konsumi në këto komuna u rrit me 70+% në një dekadë, pjesërisht për shkak të kultivimit të drogës dhe kriptominimit”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Sipas Kurtit Kosova ka humbur 300 milionë të tjera për shkak se Serbia i ka detyruar tregtarët e energjisë elektrike, t’ia paguajnë TVSH-në e energjisë elektrike Serbisë.

Që nga viti ’99, Kosova ka humbur 300+ milion euro të tjera për shkak të veprimeve të Serbisë, si refuzimi i dhënies së tarifave të transmisionit dhe detyrimi i tregtarëve që t’i paguajnë TVSH-në Serbisë për tregtinë tonë të energjisë elektrike. Edhe tani, refuzimi i Beogradit për të lejuar tregtinë Kosovë-Serbi i kushtoi Kosovës deri në 10 milionë euro në muaj”, ka shkruar Kurti.

Sigurisht që për këto padrejtësi nuk kanë faj qytetarët tanë në komunat veriore. Ata e kuptojnë dhe pranojnë se pagesa për shërbimet bazë si energjia elektrike dhe uji është normale dhe se kjo do të mundësonte investimet e nevojshme për të përmirësuar më tej cilësinë e shërbimeve”, ka shtuar ai.