Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb nuk mund të pezullohet në asnjë formë, pasi, sipas tij, ajo nuk përbën “kurrfarë ndëshkimi për serbët”.
Duke komentuar deklaratën e emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se Kurti ka refuzuar propozimet e tij për çështjen e dinarit, kreu i ekzekutivit kosovar ka thënë se nuk mund të ketë propozime që pranohen nga Kosova e “që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”.
“Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa”.
“Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së dhe njëkohësisht ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme”, tha Kurti për Radio Evropa e Lirë.
Sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë Banka Qendrore e Kosovës. Në Republikën demokratike janë detyrat dhe funksionet e ndara.