Kryetari i Lëvizjes opozitare Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me mundësinë e rifillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ish-kryeministri i Kosovës ka thënë se ‘rifillimi i dialogut po u përshtatet kërkesave të Serbisë, si në kohë ashtu edhe në përmbajtje’.
“Data 27 qershor e takimit është aty sepse vjen pas datës 21 qershor kur mbahen zgjedhjet në Serbi dhe datës 24 qershor kur Vuçiq shkon në Moskë për t’u takuar me Putinin”, ka shkruar Kurti.
Ky reagim i Kurtit vjen pasi i dërguari i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell njoftoi se palët do të takohen më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.
Kreu i opozitës, Kurti ka shprehur edhe njëherë mosbesimin e tij nëse Kosova do të dalë fituese nga procesi i dialogut.
Sipas tij, ‘më parë se dialog si proces, kjo duket si takim njëditor ku servohen marrëveshjet’.
“Në anën tjetër, që Serbia të jetë e kënaqur, u sajua një qeveri koti në Kosovë e cila varet nga secili deputet i Listës Serbe, që hoqi reciprocitetin me Serbinë dhe ju zotua emisarit Grenell që nuk do të kërkojë anëtarësim për Kosovën në organizatat ndërkombëtare. (Kjo e fundit është heqje dorë nga neni 17, paragrafi 1, i Kushtetutës së Republikës së Kosovës), ka shkruar Kurti.
“Qasja e këtillë asimetrike që ka për pikënisje pabarazinë e normuar midis Kosovës e Serbisë, sjell veçse marrëveshje të dëmshme, rrjedhimisht të papranueshme e të pazbatueshme. Andaj kjo gjen mbështetje vetëm te politikanë e zyrtarë që nuk përfaqësojnë popullin, sikurse Thaçi e Hoti”, përfundon postimi i tij.