Kurti-QUINT-it: Ose do t’i mbajmë ato targa të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe shefin e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë.
Kryeministri Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë pritur ambasadorët e QUINT-it një ditë pas vendimit për reciprocitetin ndaj targave të Serbisë.

“Në këtë takim, u diskutua mbi vendimin e djeshëm rreth pajisjes me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente. Ai tha se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase”, thuhet në njoftim.

“Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar, tha kryeministri, duke theksuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare. Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpiejnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet”, bën të ditur njoftimi.

Tutje thuhet se Kurti ka deklaruar se te çështja e reciprocitetit ose kanë të drejtë të dyja shtetet, ose e kanë gabim të dyja.
“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia, theksoi kryeministri Kurti. Ai i njoftoi ambasadorët edhe për bisedën telefonike që ka pasur mbrëmë me Zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, z. Josep Borrell”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se ministri Sveçla i ka njoftuar ambasadorët se Policia e Kosovës është në krye të detyrës dhe se po kontribuon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
“Ministri Sveçla tha se policët tanë janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë. Qytetarët serbë nuk kanë pse të ndjehen të frikësuar, potencoi ai. Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron e respekton të gjithë qytetarët pa dallim, tha ministri”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, bëhet e ditur se në takim është folur edhe për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtur paqen dhe qetësinë, stabilitetin dhe sigurinë, dhe se dialogu duhet të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë”, thekson njoftimi.