Kurti publikon dokumentin që ia refuzoi Vuçiqi në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar dokumentin e quajtur “Deklarata e Paqes” prej gjashtë nenesh, e cila iu propozua si formë marrëveshjeje presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme të BE’së, Joseph Borrell përgjatë takimit në Bruksel. Ky i fundit, sipas Kurtit e pranoi, derisa Vuçiq e refuzoi.

Kreu i ekzekutivit kosovar nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’ ka publikuar dokumentin, duke thënë se pala serbe problematike e shihnin togfjalëshin “ballafaqimi me të kaluarën”, andaj edhe e refuzuan atë,
“Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit”, deklaroi ai.

Në mesin e kërkesave të parashtruara nga pala kosovare në dialog ishte edhe zotimi për paqe, që të mos sulmojnë ushtarakisht njëra tjetrën.
Po ashtu, siç potencohet në dokument, delegacioni me Kurtin në krye kërkoi njohjen reciproke mes dy vendeve si rezultat i marrëveshjes finale.