Kurti pret Kosnettin, merr lëvdata për punën e deritanishme të qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka pritur të marten në takim ambasadorin e SHBA-së, Philip Kosnett.
Sipas njoftimit për medie të lëshuar nga zyra e kryeministrit, Kurti ka marrë lëvdata për punën e deritanishme të qeverisë.

“Kosnett e përgëzoi Kryeministrin për performancën e deritanishme të qeverisë, aprovimin e Buxhetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe për masat e ndërmarra dhe angazhimin e qeverisë në lidhje me Corona Virus COVID-19”, shkruan në njoftim.

Ndërkohë, Lori Michaelson, shefe e Njësisë së Ekonomisë pranë Ambasadës Amerikane në Kosovë, po ashtu e pranishme në takim, e ka theksuar “rëndësinë e orientimit të buxhetit të ri veçanërisht në aspekte zhvillimore”.

“Nga ana e tij, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin, z. Kosnett, për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtetin e Kosovës. Më tutje ai theksoi se për vendin, në këto momente, është jashtëzakonisht e rëndësishme t’i kushtohet tërësisht vëmendje aspektit shëndetësor të njerëzve dhe vitalitetit të ekonomisë”, shkruan po ashtu në njoftim.