Kurti: Numri i të infektuarve e ka kaluar atë të shëruarve, t’i përmbahemi masave


ryeministri në detyrë, Albin Kurti, vizitoi sot Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Para mediave bashkë me ministrin në detyrë Arben Vitia, dhe drejtorin e SHSKUK-së Basri Sejdiun, pranë Klinikës Infektive tha se u dhanë mbështetje si qeveri në detyrë, në mënyrë që “të mos humbet ndeshja në 10 minutat e fundit kur fitorja është afër”.

“Do të fitojmë vetëm kur të jemi bashkë”, u shpreh Kurti.

Kurti e dha edhe një lajm që e quajti brengosës, dhe sipas tij, me informatat që ka marrë nga infektologët, numri i të infektuarve e ka kaluar atë të shëruarve.

“Ftojmë qytetarët që në mënyrë rigoroze t’i përmbahen thirrjeve e rekomandimeve. E dimë që qytetarët i kanë nga 3 orë jashtë vendbanimeve, dhe edhe ato nuk është mirë t’i shfrytëzojnë pa nevojë. Dilni vetëm kur është e domosdoshme, duhet ta ruajmë veten tonë dhe njëri-tjetrin. Si qeveri në detyrë jemi në konsultime ditore me ekspertë të Harvardi. Kemi mbështetjen e tyre falas”, u shpreh Kurti, përcjell KOHA.

Në dy ditët e fundit, tha Kurti, kemi diçka brengosëse.

“Numri i të infektuarve e ka kaluar numrin e të shëruarve. Mbrëmë u dha njoftimi se dje kishim 8 të infektuar e asnjë të shëruar e pardje 24 të infektuar e 14 të shëruar. Kjo lakore ngelet e tillë përveç këtyre ditëve të fundit. Duam ta fuqizojmë mesazhin tonë dhe t’i përmbahemi masave e udhëzimeve që të mos kemi dështime”, u shpreh Kurti.

Ndërkaq, drejtori i SHSKUK-së Sejdiu tha se kanë marrë mbështetje të vazhdueshme qeveritare, dhe i falënderoi për kontributin.