Kurti nuk lëshon “pe” për targat”, analistët: “Mund të na kushtojë në procesin e dialogut!”

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke folur nga Gjermania ku mori pjesë në “Samitin e Berlinit” rikonkonfirmoi edhe njëherë qëndrimin e qeverisë së Kosovës në lidhje me vendimin për targat. Ai tha se nuk mund të ketë shtyrje të vendimit dhe se nga data 21 nëntor do të ketë gjoba për pronarët e veturave me tabela ilegale që janë në Kosovë. Sipas tij, shtyrja 10 mujore nuk mund të jetë shtyrje, pasi sipas tij, shtyrja mund të jetë disa javore, apo 1-2 muaj.

“Por në këtë rast ne s’kemi bërë shtyrje se jemi në të drejtën tonë dhe në të njëjtën kohë kemi shprehur mirëkuptimin për brengat evropiane e amerikane lidhur me mundësitë e cenimit të paqes e sigurisë”, është shprehur Kurti. Më tej, kreu i qeverisë tha se me Shtetet e Bashkuara janë vazhdimisht në kontakt, me ambasadorin e ShBA-së në Kosovë por edhe drejtpërdrejt me Departamentin e Shtetit.

“Nuk ka vendim që shkakton preokupim të paqes e sigurisë për të cilin ne nuk i njoftojmë partnerët tanë në Washington dhe Bruksel. Pra, ata e dinë paraprakisht qëndrimin” deklaroi Kurti. Njohësit e rrethanave politike në vend po e cilësojnë të gabuar mostërheqjen e Kurtit nga vendimi për targat. Analista politike, Shqipe Pantina, tha në një prononcim se vendimi i kryeministrit për mos zgjatjen e afatit përkundër kërkesës së SHBA-ve, që në fillim ka qenë i gabuar.

Pantina tutje thekson se një vendim i tillë mund të na kushtojë në procesin e dialogut.“Mendoj se vendimi i KM per mos zgjatjen e afatit përkundër kerkeses se miqeve tane me theks te vecant SHBA qysh ne fillim ka qene i gabuar. Edhe më gabim është kryeneqesia e Kryeministrit per mos me ndryshu kete vendim. Kjo kam frike se do na kushtoj ne procesin e dialogut”. Pantina e cilëson si lajm shumë të mirë nënshkrimin e tri marrveshjeve në kuadër të Samitit të Ballkanit.

“Ndersa lajm shume i mire eshte nenshkrimi i marrevedhjeve qe lehteson levizjen e qytetareve brenda shteteve te rajonit por edhe mundesine qe te ushtrojn profesionet e tyre pasi diplomat e tyre jane te njohura. Kosova duhet sa me shume te behet pjese e nismave qe nxisin bashkepunim rajonal e nderkombetar” deklaroi Pantina.

Ndërsa analisti politik, Dorajet Imeri, tha kërkesa për shtyrjen e vendimit për targat duhet të shihet në dy rrafshe.

“Për bindjen time nevoja për shtyrjen e vendimit për targat duhet të shihet në dy rrafshe. E para se SHBA-të dhe BE ndoshta druhen se mund të ketë tensione në Veri të Kosovës dhe e njëjta pastaj mund të keqpërdoret pastaj nga Serbia dhe mund të krijojë situata të paimagjinueshme të trazirave. Në anën tjetër mbajtja për një kohë të gjatë e një status-ko edhe pas përmbylljes së afateve të kërkuara nga amerikanët, përsëri serbët nuk do të pajisen me targa dhe atëherë situata tregon se do të jetë një shtyrje e re. Amerikanët ashtu edhe evropianët duhet ta dinë se Serbia nuk do të ndryshojë qëndrim deri atëherë ose së paku nuk ka dhënë indikacion të tillë. Por nëse amerikanët kanë bindje se do të ndryshojë qëndrim Serbia deri në atë kohë dhe Kosova dhe Serbia nuk duhet të merren me çështje parciale, atëherë sigurisht duhet të dëgjohet argumenti i tyre për shtyrjen e aftit për targat. Shtyrja e vendimit për targat mund të bëhet mbi logjikën e nevojës që të kornizohet sa më shpejt aspekti i finalizimit të marrveshjes Kosovë-Serbi së paku në projeksion përfundimtar se kur mund të ndodhë një marrveshje” deklaroi Imeri.

Imeri tha se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë sa i takon çështjes së targave, është marrveshja që ka ardhë pas insistimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të negociatorëve evropianë. Ai theksoi se është dashur të parashihet se mund të ketë shtyrje.

“Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë sa i takon çështjes së targave, është marrveshja që ka ardhë pas insistimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të negociatorëve evropianë. Caktimi për një periudhë kohore për zbatimin e marrveshjes në atë kohë ishte bërë pikërisht nga ndërmjetësit evropianë me mbështetjen e atyre amerikanë. Prandaj dita kur do të duhej të fillonte zbatimi i marrveshjes ka qenë e përcaktuar nga ata dhe që atëherë është dashur që të parashihet që mundet të ketë eventualisht një shtyrje të re sepse në këtë mënyrë do të vendosej Kosova në një pozicion jo të favorshëm” tha Imeri. Tutje Imeri potencoi se procesi i Berlinit është i një rëndësie tepër të madhe sepse dallon nga “Open Ballkan”.

“Procesi i Berlinit ka rëndësi tepër të madhe sepse si proces dallon nga ai i ‘Open Ballkan’. Marrveshjet që u nënshkruan sot me praninë e liderve politikë të vendeve ku kishin edhe simbolet shtetërore tregon se me procesin e Ballkanit, vendet pjesmarrëse janë shtetet ndërkaq për Open Ballkan nuk janë sepse Serbia nuk e njeh pavarsinë e Kosovës” deklaroi Imeri.

Liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar tri marrveshjet e parapara në Samitin e Berlinit. Njëra ndër tri marrveshjet ka të bëjë me njohjen reciproke të kartave të identitetit, tjetra ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale ndërmjet palëve që e nënshkruajnë.Marrëveshja e tretë është ajo mes Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e të dyja vendeve.
/Gazeta Blic/