Kurti nga Mitrovica: Kërcënimet s’më frikësojnë, presidenti ndodhet në panik!


Kryeministri në detyrë i Republikës, Albin Kurti ka thënë se nuk frikësohet aspak ndaj kërcënimeve që i drejtohen atij, duke komentuar letrën e fundit të “Gardës Vullnetare Shqiptare”. Këto komente shefi i ekzekutivit i bëri gjatë një vizite në gjigantin metalurgjik, “Trepça” në Mitrovicë.

“Së pari, unë nuk frikësohem. Jam në punë dhe detyrë përditë. Për gjendjen e sigurisë, nuk është që unë mund ta vlerësoj unë, janë organet kompetente”, ka thënë Kurti.

Më tej, kryeministri theksoi se kërcënimi ishte më i veçantë për Gjykatën Kushtetuese, pasi edhe janë në prag të vendimit për dekretin e presidentit, Hashim Thaçi.

“Por, ata që më kanë kërcënuar mua, nuk mund ta kenë pasur me mua, sepse tek unë nuk funksionon. Ata e kanë pasur me Gjykatën Kushtetuese sepse duket se është në panik presidenti që po i humbet rasti.

Dekretet e presidentit ndodhet në Gjykatë, prandaj ata me atë kërcënim që ka ardhur në adresën e kryeministrit e kanë ditur se me mu nuk funksionon”, ka deklaruar ai.