Kurti: Në Evropë, s’ka një shembull si të Adem Demaçit


Ushtruesja e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në 13 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, kanë bërë homazhe dhe kanë nderuar dhe vënë kurora lulesh edhe te varri i ish veprimtarit të çështjes kombëtare Adem Demaçi.

Osmani tha se shprehin falënderimin ndaj të gjithë atyre që kanë dhënë gjithçka. “E që kanë sakrifikuar gjithçka, shprehim përulësinë tonë, për mundin e gjakun e tyre të dhënë, në mënyrë që ne sot ta festojmë lirinë tonë”, tha Osmani. Kurti tha se me të drejtë Adem Demaçi është quajtur Mandela shqiptar.

“Por unë do të thosha që edhe në Evropë nuk ka një shembull të ngjashëm. Me 28 vjet burg është shqiptari që ka vuajtur më së gjati, por edhe nuk është thyer e dorëzuar asnjëherë. Ka qenë një trim i thellë, në kuptimin që ishte paimagjinueshëm i qëndrueshëm dhe me vetëdije të lartë historike”, ka thënë Kuri.