Kurti në 23 vjetorin e masakrës së Reçakut: : Mohimi i gjenocidit vret dinjitetin e të mbijetuarve

Në 23-vjetorin e masakrës në Reçakut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se masakra e Reçakut është një datë vendimtare në shekullin tonë që bëri që bota të kuptojë se mizoritë dhe vrasja e njerëzve nuk duhet të kthehen në normalitet.

Kurti është shprehur se ishte pikërisht masakra e Reçakut ajo që vuri në lëvizje fuqinë më të madhe ushtarake për të mbrojtur popullin tonë, shkruan Reporteri.net.

“Kjo masakër bëri që qeveria e atëhershme jugosllave ta shpallë ambasadorin Walker si persona non-grata, që e pat cilësuar Reçakun si mizori e papërshkrueshme dhe krim i madh kundër njerëzimit e që u dënua ashpër nga qeveritë demokratike perëndimore.

Vjen një ditë kur përballë spektaklit të përgjithësuar të dhunës, vrasja duhet të marrë përmasat e gjenocidit që të marrë vëmendje. Vetëm si masakër, vrasja merr përmasa mediatike.

Duhej një Reçak që perëndimi të kuptonte se kur kasaphnja nuk ndalet ajo mund të kthehet në normalitet. Reçaku është një datë vendimtare në shekullin tonë, jo vetëm një masakër. Ishte pikërisht ajo që vuri në lëvizje fuqinë më të madhe ushtarake për të mbrojtur popullin tonë”, është shprehur Kurti në ceremoninë e organizuar për nder të Reçakut.

Tutje Kurti ka shtuar se mohimi i gjenocidit vret dinjitetin e të mbijetuarve.

“Të mohosh krimet gjenocidale që i ka dënuar një botë e tërë dhe të përsërisësh mosnjohjen e Kosovën do të thotë të qëllosh edhe të rënët e pavdekshëm.

Mohimi i gjenocidit vret dinjitetin e të mbijetuarve. Ne jemi kundër hakmarrjes, duam drejtësi dhe refuzojmë të harrojmë”, është shprehur Kurti.