Kurti: Minishengeni Ballkanik është Jugosllavia e katërt, është edhe në interes të Rusisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Minishengeni Ballkanik është një intencë e Serbisë për Jugosllavinë e katërt, e sipas tij ajo ide paraqet rreziqe. Ai ka thënë se pas vizitës në Shqipëri do ta vizitojë edhe Gjermaninë.

“Dhjetë ditë kalendarike kanë qenë edhe dhjetë ditë punë dhe me të vërtetë s’jemi ndalur. Në Shqipëri është edhe më e kollajshme të bëhet vizita e parë pasi jemi aq afër, e aq të afërt, e pas kësaj do të shkojë në Gjermani e Londër e të tjera. Më ka marrë nja dy ditë t’ia shtrëngoj dorën secilit në kryeministri”, ka thënë kryeministri Kurti në Rubikon të KTV-së. Ai theksoi se takimi me Ramën ishte më konstruktiv ndër vite. Sipas tij, Minishengeni Ballkanik është edhe një interes i Rusisë. “Në formimin tim politik historia është e rëndësishme. Para më shumë se sa një shekulli Rusia cariste ka krijuar aleanca për të shkatërruar dy perandori dhe ia ka dalur. Pas një shekulli ne duhet të krijojmë një aleancë. Shqiptarët janë në epiqendër, në njërën anë kanë kroatët, e Bullgarët, por edhe Sarajevën e Podgoricën. Nëse e vëreni hartën e tendecave sidomos në hartën e Ballkanit kemi për një partneritet të tillë, por që nuk mund të fillojë me Serbinë”, ka thënë Kurti në Rubikon të KTV-së. Sipas tij intenca e Serbisë është krijimi i Jugosllavisë së katërt. “Më duhet të jem i sinqertë se Minishengeni Ballkanik nuk është realitet, më shumë është ide se sa projekt. Për të bashkëpunuar gjashtë vendet e rajonit ne kemi kornizën e Procesit të Berlinit. Në këtë kuptim edhe nuk ka ndonjë gjë të re. Minishengeni ballkanik ka rreziqet e veta, kam thënë se ai paraqet Jugosllavinë e katërt, të cilën Serbia e do, kjo është intenca e Beogradit. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm pasi ka rreziqe përtej atyre buzëqeshjeve. Mendoj se ka qenë shumë më i relaksuar para dy viteve se sa që ka qenë sot, e sot Rama është më i vëmendshëm se sa që ishte para një viti. Intencat e Serbisë që po i shohim sërish në Mal të Zi, janë evidente”, ka thënë Kurti. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të marrë pjesë në takimin e radhës të Minishengenit Ballkanik, por me pak gjasa dhe një vendim i tillë do të bëhej me një vendim të kabinetit të tij qeveritar.

Sipas tij Makroshengeni shqiptar mund të zbatohet shumë shpejt. “Kjo makroshengeni shqiptar nënkupton një liberalizim të gjithanshëm shqiptar. Minishengeni ballkanik është një ide që nuk është zbatuar, derisa ai shqiptar mund të zbatohet shumë shpejt. Iniciativat e tilla nuk kanë t’ia mbajnë pa u kthyer te Procesi i Berlinit”, ka thënë Kurti. Kurse për qëndrimet serioze të tij dhe Ramës në Tiranë ai ka thënë se, “ndoshta mund të lexohet edhe si shprehje serioziteti, dhe që e kuptojnë se te pozicionet tona ka përgjegjësi të madhe. Ka pasur gjëra nuk jemi pajtuar, por që nuk janë të pakalueshme”.