Kryeministri i Kosovës në prononcimin ekskluziv për TVM2 ka thënë vetëm fjalë miradie për bashkëpunimin me vendin tonë. Ai tha se komunikimi dhe bashkëpunimi, si me ish-kryeministrin Zoran Zaev dhe tash me kryeministrin aktual, Dimitar Kovaçevski, është i vazhdueshëm, edhe dypalësh, edhe në forumet e ndryshme evropiane e ndërkombëtare:
“Kemi 34 marrëveshje Kosovë-Maqedoni e Veriut dhe 22 memorandume e deklarata të përbashkëta. Në shtator të vitit të kaluar e kemi pasur mbledhjen midis dy qeverive. Do ta kemi edhe një mbledhje tjetër sivjet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Meqë e para u mbajt në Shkup, tash rendi e do që ta mbajmë në Kosovë. Duam që bashkëpunimi ekonomik, kulturor, tregtar, të jetë i vazhdueshëm e pse jo edhe ai në aspektin e sundimit të ligjit e të sigurisë,’- deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri Kurti: Njohja reciproke, kusht për marrëveshje me Serbinë
Duke komentuar raundin e fundit të pasuksesshëm të bisedimeve me Serbinë, të mbajtur kohë më parë në Bruksel, Kurti tha se Serbia ka refuzuar të gjitha opsionet sa u përket targave të cilat duhet ta kenë parimin e reciprocitetit: “Pra, njësoj siç trajtohen automjetet e Republikës së Kosovës në Serbi, duhet të vlejë edhe e kundërta për automjetet e Serbisë në Republikën e Kosovës. Dhe jo vetëm kaq, Serbia qartazi nuk do marrëveshje, po do koncesione,’- deklaroi kryeministri Kurti për TVM2 duke nënvizuar se marrëveshja ndërmjet dy vendeve duhet të jetë ‘parimore, simetrike, me reciprocitet’: “Ndërkaq, ajo ligjërisht e obligueshme e cila normalizon plotësisht marrëdhëniet midis neve duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër.”
Kryeministri Kurti duke vlerësuar bisedimet e deritashme Kosovë-Serbi, që mbahen nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian, tha se nga viti 2011 ai ka “qenë i shtrirë në kohë. Kosova bënte koncesione në pritje të pavarësisë së njohur nga Serbia që nuk ndodhte asnjëherë”, – tha Kurti duke nënvizuar se konform kësaj, njohja nuk realizohej, ndërsa koncesionet aktualizoheshin, pas çdo raundi të bisedimeve:
“Tash e kemi procesin e shtruar në hapësirë. Hapësira e marrëveshjes nuk duhet ta ketë vetëm njohjen reciproke brenda, por njohja reciproke duhet të jetë në qendër. E pa këtë qendër nuk ka marrëveshje,”- deklaroi për MTV2 i pari i Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, zhvillimet në Ukrainë kanë impakt edhe në dialogun Prishtinë- Beograd: “Besoj që dialogu është vështirësuar edhe më shumë për shkak se Serbia qartazi po mbanë anën e Federatës Ruse duke mos iu bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pra, Serbia nuk është një vend neutral, Serbia ka marrë anën e Kremlinit”.
Intervista ekskluzive me kryeministrin e Kosvës, Albain Kurti, u realizua në kuadër të emisionit “Ballkan View – Vështrim i përbashkët drejt Europës”, një bashkëpunim ky ndërmjet TVM2 dhe Insitutit Ballkanik për Bashkëpunim Rajonal,BIRN, që së shpejti do të emetohet në programin tonë.