Kurti: Kush ka vajza botën ka

Është bërë lansimi i Fushatës “Të Gëzoheni me Fëmijë”, e udhëhequr nga UNFPA në partneritet me IPKO Foundation, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u adresua me një video-mesazh gjatë eventit, tha se Qeveria është e përkushtuar që të mbështesë të gjitha kategoritë pa dallim.

“I duhet shtëpisë një djalë është një shprehje që ende e dëgjojmë në shoqërinë tonë. Dukuria që prish raportin natyror të lindjeve nuk duhet që të ketë vend më në Kosovë. Vajza jonë është dhurata më e çmuar për mua dhe Ritën. T’i themi jo praktikës dhe preferencës për djalë sepse kush ka vajzën botën ka”, ka thënë ai.

Nga të pranishmit u pohua se fushata ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me çështjen sensitive të abortit selektiv në Kosovë dhe ndërlidhjen e saj me qasjen e pabarabartë të vajzave në edukim, me qëllim të ndërmarrjes së nismave më efektive për ta adresuar këtë shqetësim.

Përderisa ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se po punohet në vazhdimësi në përmirësimin e kushteve e shërbimeve.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, tha se qasja në arsim do të jetë e barabartë për të gjithë, e sidomos për vajzat.