Kurti: Kur lodheshin lojtarët, ia gjuanin topin Vokrrit – ai ishte arsyeja e fitores

Ish-kryeministri i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë homazhe te varri i Fadil Vokrrit në dyvjetorin e vdekjes së legjendës së futbollit kosovar, ndërsa në një postim të tij në rrjete sociale e ka treguar një anekdotë lidhur me ish-presidentin e FFK-së.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Sot në orën 9:00 ishte planifikuar të bëhen homazhe te varri i tij, ku u bashkua edhe ish-kryeministri Albin Kurti me disa deputetë nga partia e tij.

“Bashkë me deputetët z. Shpejtim Bulliqi, znj. Saranda Bogujevci, z. Fitim Haziri dhe z. Yll Rugova nderuam veprën dhe jetën e Fadil Vokrrit, legjendës së futbollit e të sportit, në dy vjetorin e vdekjes së tij”, shkruan Kurti.

“Fitoret e Prishtinës ishin të lidhura me emrin e tij. Vokrri ishte arsyeja e fitores sepse kur topi ishte në këmbën e tij ai e pushtonte fushën”.

“Tregojnë bashkëlojtarët e tij me gjysmë shaka: ‘kur ndeshja ishte sfilitëse dhe donim të pushonim ia kalonim topin Fadilit’. Kështu ishte edhe në Federatë. Punoi shumë e pa u lodhur për pasionin e vajzave e djemve tanë”.

https://www.facebook.com/albini2017/posts/889417414891477