Kurti i reagon Bërnabiqit: Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç i referohesh ti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e dedikuar për rend, ligj dhe luftim të korrupsionit në vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe.

Në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në kuadër të Samitit në Londër të hënën, Kurti nënvizoi se Kosova është në hap me këto dy vende në vlera politike dhe në ato të biznesit. Kurti para homologëve të tij nga gjashtë vendet e rajonit, tha se Kosova në tri vitet e fundit ka dyfishuar eksportet dhe investimet e drejtpërdrejta të huaja, por theksoi se nevojiten më shumë të tilla. Ai përmendi edhe zhvillimin ekonomik në Kosovë, përparimin demokratik dhe stabilitetin institucional, që sipas tij, e kanë ndihmuar Kosovën të luftojë me sukses rreziqet për sigurinë.

Në anën tjetër, përmes një video-lidhje, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi më shumë investime të huaja, derisa tha se bashkëpunimi në rajon nuk ka qenë kurrë më i zhvilluar.

Ndërkaq, kryeministrja në detyrë e Serbisë, Ana Bërnabiq, teksa ftoi për investime të huaja në vendin e saj, tha se qeveria e re do të formohet shpejtë, derisa disa herë duke iu referuar Kosovës, tha “Kosovo Metohija”. Asaj iu kundërpërgjigj kryeministri Albin Kurti, i cili tha se vendi i tij quhet Republika e Kosovës dhe jo si iu referua Bërnabiq. Ai tha se po t’i shkonte kësaj rruge do të duhej që ta quante Serbia e Vojvodinës apo Sanxhakut dhe të tjera.