Kurti i drejtohet LDK-së e PDK-së: Beogradi s’po don me nënshkru me mu, aman tregoni si ja keni ba që nënshkrujke me juve


Kryeministri Albin Kurti ka raportuar para deputetëve të Kosovës për takimin e fundit në Bruksel në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se në dy vjet qeveri është arritur një marrëveshje që përfshin njohjen de facto të Kosovës nga Serbia.

Kurti tha se se nuk mund të flasë shumë për draft propozimin e 21 tetorit që e mori nga pesë emisarët perëndimor, ngase siç tha Kurti, është obligim i tij ndaj SHBA-së dhe BE-së që të mos flasë.

Draft propozimi parasheh që duhet të shikohet nga Kushtetuta e Kosovës menjëherë pas pranimit. Më 6 tetor zhvilluam takim me krerët e BE-së. Në këtë takim kam kërkuar mbi të gjitha më shumë siguri në kufirin e Kosovës me Serbinë. Kërkova po ashtu të bëhet ndëshkimi i Serbisë për sulmin terrorist. Ne ofruam të nënshkruajmë marrëveshjen bazë me gjithë aneksin zbatues dhe propozimin për zbatimin e nenit 7. Samiti i KE-së në Bruksel ishte ngjarja, por edhe vendi e kryeqyteti ku kjo do të duhej të ndodhte. Serbia refuzoi nënshkrimin duke refuzuar kështu edhe draftin. Mirëpresim deklaratën e përbashkët për thirrjen për njohjen de facto të Kosovës nga Serbia.

Do të flas për propozimin pa detaje ngase është obligim i imi ndaj emisarëve dhe SHBA-ve të cilët kanë kërkuar të mos flas për këtë propozim. Sa për neve ky draft mund të publikohet që sot”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se edhe në takimin e 21 tetorit në Bruksel ishte i gatshëm të nënshkruante, por ishte kryeministri serb ai që refuzoi nënshkrimin.

Ai në fund iu drejtuar opozitës duke i pyetur se si ia bënë që Serbia me ta nënshkruante marrëveshje.

“Unë jam i gatshëm me nënshkru por Beogradi nuk po don me nënshkru me mu. Ka nënshkru me LDK-në e PDK-në. Aman, më tregoni qysh ja keni ba që ka nënshkru me juve, edhe më 2013, edhe më 2015. Tash ai po ikë, e po shpallë zgjedhje. Qysh ja keni ba që nënshkrujke me ju se jom i interesum edhe i gatshëm edhe unë për nënshkrim”, u shpreh Kurti.