Kurti: Haradinaj argat i Thaçit që mbahet për karrige!


Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti e ka quajtur kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj argat i presidentit Hashim Thaçi i cili mbahet për karrige. Këto deklarata ai i ka bërë në një postim në “Facebook”, teksa ka kujtuar 4-mujorin e ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, shkruan “Zëri.info”.

Ai tutje ka folur edhe për liberalizimin e vizave, ku ka thënë se korrigjimi i kufirit me Malin e Zi nuk është bërë dhe as vizat nuk janë hequr.

Ja postimi i plotë i tij:

Haradinaj lider që ia mban fjalën popullit? Jo, veçse argat i Thaçit që mbahet për karrige!

Saktësisht katër muaj më parë në Kuvendin e Kosovës u ratifikua marrëveshja e Vjenës për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e cila ia mori vendit tonë 8.200 hektarë.

Asokohe ne këmbëngulëm që kjo marrëveshje të korrigjohej para se të votohej, duke marrë parasysh dokumentacionin dhe hartat, faktet dhe opinionet shkencore të gjeografëve, historianëve dhe ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, peticionin e mbi 205 mijë qytetarëve, demonstratat më të mëdha në Kosovën e pasluftës… Ky dikur ishte edhe qëndrimi i Haradinajt dhe i Limajt, para se të hynin në qeveri.

Por ata vendosën ta votojnë pa e korrigjuar marrëveshjen, sepse thanë se votimi do ta sillte liberalizimin e vizave. Gjithashtu e garantuan popullin e Kosovës se do të bëhet korrigjimi i vijës kufitare me komision të përbashkët, pas ratifikimit.

Katër muaj më vonë korrigjimi as ka ndodhur, e as ka nisur. Çakorri e Zhlebi tash kanë mbetur përtej kufirit e Kosova u zvogëlua. Ndërsa liberalizimi i vizave u shndërrua në rekomandimin e radhës dhe mbetet çështje e një të ardhmeje të papërcaktuar.

Korrigjimet kufitare, pasi që e ke ratifikuar një vijë të caktuar, funksionojnë vetëm kur jep po aq sa merr, pra tit-for-tat, andaj Kosova tashmë nuk mund t’i marrë ato 8.200 hektarë. Qeveria Haradinaj duhet të japë dorëheqje: ajo e votoi dhurimin e territorit të vendit duke mashtruar publikun, edhe për korrigjimin, edhe për liberalizimin. /ZËRI