Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar qeverinë e Kosovës se nuk u angazhua për ta mbrojtur UÇK’në në arenën ndërkombëtare e as në Gykatën Speciale por merrej me shuarjen e Task-Forcës. “E keni parë se si preokupimi i qeverisë ishte eliminimi i Task-Forcës, dhe jo mbrojtja e UÇK’së në arenën ndërkombëtare e në Gjykatë Speciale”, ka thënë Kurti.
Duke folur për aktakuzat ndaj ish-krerëve të UÇK’së Kurt ka thënë se nuk ka ekzistuar asnjë “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale” përbrenda UÇK’së siç po pretendon Prokuroria e Gjykatës Speciale. “Prokuroria e ka gabim nuk ka pasur strukturë të tillë kriminale. UÇK-ja kishte shtabin e përgjithshëm dhe drejtoritë përkatëse zyrën e përfaqësimit politik zonat operative brigadat e batalionet njësite që i dimë të gjithë e jo aty tash një strukturë paralele siç pretendon prokuroria. Ky lajmi më i ri në Kosovë për një farë NPK’je brenda UÇK-së nuk është e vërtetë” tha ai.
Ai tutje tha se UÇK’ja ishte e të gjithëve dhe jo vetëm e disave. “Insinuata për strukturën paralele, nuk mund të shpikët pa pasur një qëllim, e qëllimi i UÇK’së ishte çlirimi. UÇK’ja ishte e të gjithëve dhe jo vetëm e disave” u shpreh ai. Ndërsa ka kritikuar qeverinë e Kosovës se nuk po bën sa duhet për ta mbrojtur UÇK’në në Gjykatën Speciale.
“Shteti i Kosovës duhet ta organizoj e ta koordinoj mbrojtjen e të pandehurve, ata i pam që i kanë avokatët secili, mirëpo nevojitet bashkërendimi nga shteti. UÇK’ka qenë e asnjërit por e të gjithëve, e që të gjithë duhet ta mbrojmë atë.Me fjalë të tjera kjo është punë qeverie, e sidomos punë qeverie. Është qeveria e Kosovës ajo që duhet të organizohet për sintezën e përfaqësimit dhe mbrojtjes në këtë proces”, tha Kurti.
“Për fat të keq në këtë kohë të vështirë, Kosova nuk ka një qeveri që mund ta bë këtë, kjo qeveri e paligjshme e cila mvarej prej secilit deputet të Listës Serbe e që tash është qeveri e pakicës që po tkurrët, nuk mund ta shpëtoj ndokë e lerë më vet. E keni parë se si preokupimi i saj ishte eliminimi i Task-Forcës, dhe jo mbrojtja e UÇK’së në arenën ndërkombëtare e në Gjykatë Speciale”, u shpreh ai në fund.