Kurti fton qytetarët të marrin pjesë në tubimin e nesërm në sheshin “Skënderbeu”(VIDEO)

Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë nesër tubim në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.

Një ditë para këtij tubimi, kreu i VV-së, Albin Kurti përmes një videomesazhi ka ftuar qytetarët në këtë tubim për të cilin tha se organizohet për dy arsye. Një sipas tij, për shkak të 21 vjetorit të çlirimit të vendit dhe dy, 15 vjetorit të themelimit të Lëvizjes që ai drejton.

Kurti nuk ka lënë pa përmendur edhe zgjedhjet e reja.

“Në këtë përvjetor të dyfishtë ne ndodhemi në situatën që kërkon durim dhe zgjidhje. Durim për ta tejkaluar pandeminë COVID-19 që nuk ka kaluar dhe zgjidhje duke hyrë në zgjedhjet që po vijnë. Në këto 15 vite kemi dëshmuar se e bëjmë opozitën fuqishëm si askush më parë. E sivjet kemi dëshmuar që e bëjmë qeverisjen mirë si askush tjetër. Ne po rritemi shumë sepse në zgjedhje të tjera do të fitojmë mbi shumën e të tjerëve. Nuk ka Lëvizje pa popull, kurse në Kosovë populli është bërë lëvizje. Ejani nesër në këtë tubim paqësor, me muzikë e fjalime. Ejani masivisht në 15 vjetorin tonë, teksa kujtojmë edhe 21 –vjetorin e çlirimit të vendit dhe çmimin e lartë që paguan breza të tërë që ne të jetojmë shumë më mirë se sot”, është shprehur ish-kryeministri Kurti.