Kurti fton liderët e opozitës të takohen të martën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar liderët e opozitës Lumir Abdixhiku, Memli Krasniqi dhe Ramush Haradinaj, që të takohen të martën, për të biseduar për takimin e fundit të zhvilluar në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu për portalin rtv21.tv ka thënë se përveç në formë elektronike, ftesat për këtë takim krerëve të opozitës do t’u dërgohen edhe formë fizike.

“Dje u janë dërguar ftesat në formë elektronike, kurse sot dërgohen në formë fizike. Ftesa për takim është për ditën e nesërme”, ka thënë Kryeziu. Paralajmërimin për këtë takim, Kurti e bëri të ditur të dielën, në mbledhjen e Këshillit të përgjithshëm të Vetëvendosjes./21Media