Kurti e pranon që i ka shkruar Zv.Presidentit Pence, thotë se Grenell është …

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot për letrën e dërguar për zëvendëspresidentin amerikan Mike Pence, liberalizimin e vizave dhe për situatën aktuale politike në vend.

Kurti ka deklaruar se Kosova momentalisht ndodhet në situatë të pandemisë shëndetësore dhe politike, megjithatë, shton se liberalizimi duhet të ndodhë.

“Liberalizimi duhet të bëhet, tash jemi në situatën e pandemisë shëndetësore por jemi edhe në një situatë të pandemisë politike me këtë krizë institucionale, por ne si qeveri i kemi detyrat e qarta, prioritetet po ashtu po punojmë me të gjithë kapacitetin tonë, besoj që atëherë kur mund t’i kthehemi normaliteti do të duhet ti presim rezultatet e para nga BE’ja”, ka thënë ai.

Kryeministri në detyrë shton se diskriminimi ndaj Kosovës duhet të marrë fund.

“Diskriminimi që iu është bërë Republikës së Kosovës sa i përket liberalizimit dhe jo vetëm duhet të marrë fund, as sa i përket emisarëve evropianë dhe amerikanë as sa i përket politikave të tyre, ne nuk mund të jemi ndonjë faktor që përcakton diçka vendimtare, përpiqemi për më të mirën dhe jo gjithçka varet prej nesh. Më vjen keq që s’patëm shansin që të funksionojmë në mënyrë normale, e të ndryshojmë vendin tonë. Drejtësia për neve është vlerë për të cilën ne nuk bëjmë kompromis. Ditë natë mendoj për Kosovën për situatën e pandemisë, as nuk e kam kohën as dëshirën as interesin as mundësinë që tash të mendoj se sa janë të duhur emisarët e superfuqive, mos më ngatërroni edhe këtë barrë”, ka deklaruar ai.

Kurti ka deklaruar se beson që Kushtetuesja do të marrë vendimin e drejtë lidhur me mandatarin, e se shton se vetë s’ka dilema se cili do të jetë ai vendim.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim për masën e përkohshme dhe besoj që do ta interpretoj çështjen në mënyrë të drejtë, e ka përvojën e rasteve paraprake që nuk janë të ndryshme me aktualitetin, i ka edhe aktgjykimet për mua nuk ka dilema çka do të jetë vendimi”, ka shtuar ai.

I pyetur për letrën që i ka dërguar zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence, Kurti ka thënë se keqinformimi nuk njeh kufi, e për këtë arsye e ka parë të arsyeshme të informojë njeriun e dytë të SHBA’së saktë. Kjo sipas tij po ndodhë shkaku i betejës politike.

“Ta keni parasysh që keqinformimi nuk njeh sa kufi as kohë prandaj është gjithmonë i mundshëm, është detyrë e imja aty ku vërej keqinformim të bëjë informimin e saktë edhe të drejtë. Edhe informatat janë pjesë e betejën politike në Kosovë ka ndodhë ndryshimi i madh me qeverinë tonë që ende si ka bërë 100 ditë. Regjimi i vjetër po përpiqet me çdo kusht që të mos shkojë nga skena, andaj nuk duhet të habiteni nga zelli për të keq informuar”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se po keq informojnë për të sepse kanë problem me qenien e tij politike.

“Për mua keq informojnë sepse nuk kanë problem vetëm me qëndrimet e mia po me qenien time politike, unë skam inat me askënd”, ka thënë kryeministri në detyrë./GazetaExpress/