Kurti e përcjell shqetësimin e familjeve të “Grupit Kumanova” te Pendarovski

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski me bashkëpunëtorë. Gjatë takimit, Kurti e ka ngritur çështjen e “Rastit Kumanova”, ku e ka shprehur shqetësimin e familjeve dhe kërkoi informata për ecurinë e procesit që tani është në Gjykatën Supreme.
Gjithashtu në një komunikatë për media, është theksuar se raportet e mira ndërshtetërore ndërmjet dyja vendeve dhe avancimi i mëtejmë i tyre dhe fqinjësisë së mirë, ishin tema qendrore e takimit.

“Ekziston vullnet i qartë politik nga ana e Republikës së Kosovës për të rritur koordinimin ndërinstitucional dhe për të thelluar më tej raportet tona dypalëshe”, tha Kryeministri Kurti.
Ai theksoi interesimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të koordinuar politikat në fushën e sigurisë, atë të mbrojtjes dhe politikën e jashtme në linjë me orientimin euroatlantik dhe në linjë me raportet e shkëlqyeshme tregtare.