“Kurti do të jetë në pushtet mbi 10 vjet, për Osmanin bëhen votat pa problem”

Albin Kurti ka qenë në pushtet për vetëm 50 ditë, por pas fitores së 14 shkurtit pushtetin do ta mbajë së paku edhe 10 vjetët e ardhshme, mendon Agim Bahtiri, kryetari i Komunës së Mitrovicë së Jugut dhe bashkëpunëtori politik i Kurtit. Për Bahtirin parashikimi për dominancën e Kurtit nuk është në nivel prognoze individuale, por një vrojtim i përgjithshëm.

“Të gjithë e kanë kuptuar”, thotë Bahtiri për Albanian Post.
“Albin Kurti do të jetë në pushtet mbi 10 vite”, shprehet ai.

Në këtë intervistë për Albanian Post, Bahtiri flet edhe për një bashkëvendëse të tij – Vjosa Osmanin. Partneren politike të Kurtit, Bahtiri e sheh si presidente të vendit. Përkundër se duhen së paku 61 veta të votojnë pro Osmanit dhe në momentin e votimit të jenë minimalisht 80 deputetë që kanë marrë pjesë në procesin zgjedhës, Bahtiri nuk sheh arsye për shqetësim.

“Unë mendoj që votat për Vjosa Osmanin do të bëhen pa asnjë problem”, përfundoi Bahtiri.
Agim Bahtiri në politikën kosovare kishte ardhur si anëtar i Aleancës Kosova e Re, partisë së themeluar nga Behgjet Pacolli.