Kurti do të dalë nga vetizolimi, zyrtari i MIE rezulton negativ

Zyrtari i Ministrisë së Integrimeve të Kosovës, për të cilin dyshohej se ishte i infektuar me Covid-19, sot ka rezultuar negativ.

Për këtë sot ishin vetizoluar kabineti i qeverisë së Kosovës bashkë me kryeministrin në detyrë Albin Kurtin  dhe ai i Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress, zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu.

“Konfirmoj që rasti për të cilin është diskutuar sot gjatë ditës, përkatësisht për zyrtarin e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, tashmë kanë dalë rezultatet e testit  të tij dhe ato kanë dalë negative. Zyrtari i MIE nuk është identifikuar me COVID-19”, tha ai.

Ndër të tjera, Kryeziu ka bërë të ditur se që nga nesër do të rifillojnë punën dhe se kryeministri në detyrë Albin Kurti do të dalë nga vetizolimi dhe të vazhdojë punën si zakonisht