Kurti: “Do të angazhohemi për reciprocitet të plotë me Serbinë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurtin, ka thënë se Qeveria është duke u angazhuar për reciprocitet të plotë, në mënyrë që të ketë drejtësi karshi raporteve të Kosovës me Serbinë.
Sipas Kurtit, në kuadër të reciprocitetit të plotë, të vije edhe njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Reciprocitetin nuk e kem as për hakmarrje, por konsiderojmë që është parim i marrëdhënieve të mira fqinjësore, nga koncepti i barazisë. Kosova dhe Serbia nuk mund të kenë marrëdhënie të pabarabartë asimetrike, andaj si shtet i pavarur, si Qeveri do të angazhohemi që në vijim të kemi reciprocitet të plotë që do të vinte drejtësi në vend sa i përket raporteve tona, e në kuadër të këtij reciprociteti në qendër të jetë edhe njohja reciproke, pra dita kur Serbia e njeh Kosovën”, ka thënë Kurti.

I pari i ekzekutivit, ka hedhur poshtë akuzat e partive opozitare se është duke i dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sa i përket anulimit të projektit për tubacionin e gazit.
Kurti tha se informacionet dhe aludimet e shumta, nuk kanë të bëjnë me refuzim, derisa pohoi se janë në kontakt të vazhdueshëm me MCC.

“Nuk janë të vërteta akuzat, ne jemi në kontakt me MCC, gjithashtu jemi duke diskutuar se si është më së miri në këtë fazë të përdorim fondet të cilat do të na ndihmojnë për politikat tona energjetike. Pra nëse kemi thënë që na duhen më shumë informacion dhe studime, kjo nuk do të thotë se kemi refuzuar por do të thotë që jemi të përgjegjshëm, fondet amerikane janë të mirëseardhura e të dëshiruara por edhe do të shfrytëzohen nga Qeveria jonë”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkaq, për samitin në Slloveni, ai ka thënë se është i interesuar për marrëveshje ku Kosova trajtohet e barabartë e prej të cilave përfitojnë qytetarët.

“Ne jemi të hapur dhe të gatshëm, për marrëdhënie sa më të mira fqinjësore, ku në mesin e këtyre gjashtë shteteve vetëm Serbia nuk na njeh, dhe për shkak të ndikimit të saj as Bosnja dhe Hercegovina. Është interesante që shtetet që janë në NATO, të Ballkanit Perëndimor e njohin Kosovën, pra për marrëveshjet ku ne trajtohemi të barabartë dhe i ndihmojnë qytetarët padyshim që jemi të gatshëm, edhe sa i përket diplomave e kualifikimeve, padyshim që jemi të interesuar”, u shpreh Kurti për EkonomiaOnline.