Kështu u tha në një akademi përkujtimore sonte me rastin e shënimit të 24-vjetorit të Epopesë së lavdishme të lu*ftës së UÇK-së dhe rënies së komandantit legjendar Adem Jashari.
Presidentja Vjosa Osmani tha se pa sakrificën e Jasharëve në lu*ftën e saj për liri Kosova nuk do të ishte shtet.
“Sot janë bërë 24 vjet nga rënia heroike e familjes Jashari e cila e rrethuar tri ditë dhe tri net radhazi nga forca të panumërta të ushtrisë dhe policisë së atëhershme të Jugosllavisë qëndroi historikisht dhe veproi heroikisht duke mbrojtur pragun e shtëpisë, pragun e Kosovës dhe idealin e lirisë. 24 vjet kujtesë dhe sakrificë e tyre e shenjtë, sakrificë e cila duhet të kujtohet çdo ditë, sepse pa të nuk do të kishim as lirinë dhe as shtetin. Këtë kujtesë do ta përcjellim brez pas brezi, sepse këto rrëfime nuk duhet të mësohen vetëm në librat e historisë, ato duhet të rrëfehen në secilin rast dhe në secilën shtëpi. Kjo ngase në Kosovë u dëshmua jo vetëm patriotizmi i familjeve siç ishte familja Jashari, por edhe ligësia e hegjemonisë në zëmër të Evropës, prandaj duhet të jemi të përkushtuar që ligësitë e tilla t’i parandalojmë. Sot bëhen 24 vjet kur vendi ynë njohu trimërinë dhe guximin e pa masë të kësaj familje në luftën e pabarabartë me agresorin”, tha Osmani.
E para e shtetit kujtoi edhe lu*ftën me të cilën po përballet Ukraina nga agresioni ushtarak i Rusisë, duke thënë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është më se i domosdoshëm për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë.
“Sot si kurrë më parë në periudhën e paqes në Evropë instrumente të reja shkatërrimtare dhe sisteme të reja ushtarake, por me ideologji dhe mendësi të vjetra po e kërcënojnë paqen në rajon dhe në të gjithë Evropën, duke kërcënuar kështu edhe të gjithë botën. Në këtë situatë është e domosdoshme që ne ta forcojmë ushtrinë tonë, e cila është garantuesi më i mirë i sigurisë dhe paqes sonë dhe ne duhet të jemi krenarë për të. Prandaj në kohë sikur këto kur paqja botërore është trazuar na duhet unitete sepse vetëm në këtë mënyrë do të mund t’i dalim përballë sfidave. Kosova është dhe do të jetë gjithnjë në krahë të popujve liridashës dhe në krahun e demokracisë, mirëpo tendencat e hegjemonisë ruso-serbe janë prezent edhe në rajonin tonë, përpjekjet e tyre për ta destabilizuar rajonin e Ballkanit Perëndimorë e në veçanti Kosovën janë evidente. Prandaj anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe në organizata të tjera ndërkombëtare është më i domosdoshëm se kurrë për të krijuar mundësinë për paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe më gjerë”, tha Osmani.
Kryeministri Albin Kurti në fjalimin e tij kujtoi sakrificën dhe luftën e dinjitetshme të Jasharëve kundër agresorit serb. Ai ka thënë se universitetet dhe akademitë kosovare duhet të kenë monumentet e dëshmorëve, si dhe siç thotë ai për ta duhet mësuar dhe studiuar nëpër shkollat e vendit.