Kurti: Asnjë pranverë, këtu e 21 vite, nuk mund ta shijojmë

Albin Kurti

Asnjë pranverë, këtu e 21 vite, nuk mund ta shijojmë. Gjithandej Kosovës, për çdo ditë të këtyre muajve i përkujtojmë më të dashurit tanë, familjarët e shoqërinë tonë të cilët na i mori makineria fashiste e shtetit serb.

Sot, të paktën sot nëse jo për çdo ditë, njeriu duhet të mendoj për 147 burrat e djemtë e Izbicës së Skënderajt të vrarë mizorisht. Dhe, për familjen Bogujevci, Duriqi e Llugaliu nga Besiana: u pushkatuan 7 fëmijë nga mosha 2 vjeçare deri në 15 vjeç dhe 7 gra të familjes së Saranda Bogujevcit. Serbia po festonte përmes krimit mbi shqiptarët: të dy këto masakra u kryen në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.

Kriminelët serbë që i kryen ato vrasje janë ende të lirë. Sigurisht se ka prej tyre që janë zyrtarë nëpër institucione shtetërore atje. Ndonjëri ushtarak a polic, të tjerë nëpër administratë e kushedi ku tjetër. Viktimat kanë emra e mbiemra, por edhe kriminelët po ashtu.

Dhimbjet i kemi të mëdha, kujtimet i kemi të freskëta. Vetëm drejtësia mund të pretendojë ngushëllim.