Shkrimtarja provokuese, Rita Petro ishte e ftuar këtë të enjte në emisionin “Rudina”, ku ka ndarë më tepër detaje se si u njoh me partnerit e saj, Latif Ajrullai, i cili u nda nga jeta në vitin 2020 për shkak të Covid-19. Si lindi dashuria e tyre dhe se si arritën të ruanin ekuilibrat duke u përpjekur të jetonin dashurinë e tyre pa lënduar familjarët e tyre, pasi në kohën kur u njohën të dy ishin të martuar.
Rita Petro: Më duket se bashkë ne të dyve na u puqen yjet. Një gjë e tillë nuk të ndodh gjithmonë, mund të duash shumë njerëz, të flirtosh me shumë njerëz, por është tjetër gjë kur ty të puqen yjet. Mendoj se ishte fati më i madh në jetën time.
Rudina Magjistari: Mund të quhet dashuria jote më e madhe e jetës?
Rita Petro: Po, po. Ishte një dashuri që të çonte në një rrugë që rrallë shkohet por të ngrinte shumë lart shpirtërisht dhe ne realizuam të gjitha ëndrrat që kishim pasur që të rinj. Që ne u takuam në një moshë kur unë isha 37 ai ishte 45 dhe kaluam mbi 20 vite bashkë.
Rudina Magjistari: Ai ishte shqiptar i Maqedonisë së Veriut. Ti kishe shkuar për një udhëtim pune dhe aty u njohët apo jo?
Rita Petro: Po është interesante se unë kisha shkuar në një festë poezie dhe ai ishte profesor kimie, s’kishte lidhje me poezinë. Ai u habit nga poezia ime se ne na thanë se do lexonim poezi patriotike, por unë nuk kisha poezi patriotike dhe lexova një nga poezitë e mia të dashurisë. Thoja që nënteksti ishte për atdheun, por ajo ishte tamam poezi dashurie dhe ai normale që ra në dashuri me mua. U takuam shpesh.
Rudina Magjistari: Ka lindur një histori në rrethana të vështira apo jo? Ai ndërkohë kishte një familje?
Rita Petro: Përveç kësaj pjesë ishin edhe kufijtë e zënë komplet, se ishte lufta në Kosovë, lufta në Maqedoni. Edhe kur takoheshim dhe kapërcenim kufijtë vetëm ushtarë shikoje. Mund të ndodhte çdo gjë dhe ne prapë takoheshim, prandaj është si një dashuri filmash.
Rudina Magjistari: Dashuria juaj nuk njohu limite? Pra kishte diçka pa kufij?
Rita Petro: Ne u munduam të mos i lëndonim më shumë se ç’duhej se normalisht bashkëshortët lëndohen, ata që nuk duan të ndahen.
Rudina Magjistari: Në atë kohë që jeni njohur ju keni qenë të dy të martuar, apo jo, në kohën kur ka nisur njohja juaj?
Rita Petro: Kur jemi takuar fillimisht, që donim të takoheshim me njëri-tjetrin, se kur vendosëm bashkë pastaj që të ishim bashkë… Pastaj u bë e hapur si lidhje, por fakti që ne u munduam të ruajmë ekuilibra edhe me fëmijët unë jam përpjekur edhe me ish-bashkëshortin me të cilin takohemi edhe sot dhe e respektojmë njëri-tjetrin, jemi munduar të mos krijojmë plagë sidomos te fëmijët; fakti që sot ne vazhdojmë bashkë me djalin e Latifit dhe me vajzën e tij, ata janë të rritur e kanë fëmijët e tyre, por kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Kjo tregon sa e rëndësishme është që dashuria të mos jetë e verbër, duhet të mendosh edhe për të tjerët. E di sa e vështirë është! Duhet dhe të mbrosh dashurinë edhe t’i mbrosh ata të cilët i ke lënduar.