Kur të tuboheni, mbani edhe nga dy maska dhe ruajeni distancën, tha Zaevi për heqjen e orës policore gjatë Pashkëve dhe Bajramit

“Populli ynë, rreth 85% është pas religjionit, është religjioz dhe më vjen mirë, që Komisioni por edhe Shtabi i Krizës mbajnë llogari për jetën sociale dhe tradicionale të popullit tonë, pa dallim se a bëhet fjalë për shumicën ortodokse, apo për të dytët nga madhësia, pjesëtarët e komunitetit musliman”.

Kështu kryeministri Zoran Zaev ka arsyetuar lirimin e masave për festat fetare, Pashkët ortodokse dhe Bajrami i Ramazanit për muslimanët.
Ka porositur, se edhe përksaj heqjes së orës policore në tërësi gjatë këtyre festave, hyrja në objektet fetare të bëhet sipas protokolleve anti-Covid.

“Ja, gjatë fundjavës pritet mot i nxehtë, të gjithë të jemi jashtë, duke mbajtur distancën. Njëkohësisht, të menaxhohet në tërësi hyrja në objektet fetare, në kishat apo xhamitë, të jenë në pajtim me protokollet dhe masat. Të dërgojmë porosinë te qytetarët, se nëse vazhdojmë më tej, sikurse bëmë deri më tani, t’i respektojmë masat, para se gjithash për mbrojtje personale, për mosgrupim, kur jemi në grup të mbajmë maskë, nëse mundet, edhe mbrojtje e dyfishtë, dy maska, atëherë do të mund të vërtetojmë vëmendjen për aspektin social të rëndësishëm për jetën e qytetarëve”, tha Zaevi.